Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar zgjedhjet e 21 qershorit si më të mirat në histori. Në një konferencë për mediat shefi i qeverisë tha se zgjedhjet lokale ishin më të ndershmet në histori dhe ditën e zgjedhjeve Shqipëria ishte një vend normal.
“Këto ishin zgjedhjet më të qeta, më të lira dhe më të ndershmet, që kemi zhvilluar ndonjëherë. Nuk u deformuan shpenzimet e buxhetit të shtetit, siç ndodhte deri në 2013-n. Nuk u sigurua mbështetje nga policia për presion mbi votuesit”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit 71% e shqiptarëve që jetojnë në këtë vend votuan për “lindjen e Shqipërisë së gjeneratës tjetër, të ndarë në bazës të një harte të re teritoriale”. Shefi i qeverisë theksoi se barazia gjinore u kthye në një fakt, që sipas tij janë dy arsye pse 21 qershori ishte një ditë historike.
Po ai nuk la pa sulmur edhe opozitën e drejtuar nga Lulzim Basha. Rama tha se referendumi që kërkonte PD dështoi. “Referendumi i kërkuar nga PD-dështoi. Ne nuk dolëm në zgjedhje për referendumin qorr që kërkonte opozita”, theksoi Rama.
Ai tha se nga ky proces Shqipëria ka dalë më e denjë dhe u kërkoi numëruesve që të vazhdojnë procesin sipas ligjit, duke numëruar drejtë çdo votë të shqiptarëve.
“Historia e zgjedhjeve për këshillat bashkiakë ka treguar që është e larmishme. Çdo votë duhet të numërohet saktësisht. Koha kur partive të vogla u merreshin votat nga numëruesit për partitë e mëdha ka marrë fund. Kush gabon dhe e risjell këtë kohë, mos harrojë që ligji e ndëshkon penalisht”, deklaroi Rama.
Vijon…..