Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka sulmuar sot Gjykatën e Durrësit dhe gjyqtaren Joana Qeleshi, që dha vendimin për kthimin e 45 mijë metër katrorësh pronë te Gjiri i Lalzit, ku kompania Omnix do ndërtonte resortin turistik. Vendim që duket se u bë shkak për konfliktin që pasoi me rrahjen e biznesmenit të huaj Faadi Mitri. Në një komunikim për mediat, Manjani numëroi gabimet e gjykatës dhe gjyqtares në fjalë.
“Kam vendosur Procedim disiplinor me kërkesë të pakthyeshme për shkarkimin e gjyqtares së Durrësit Joana Qeleshi në KLD. Inspektimi ende vijon. Nuk tërhiqem nga kjo kërkesë pasi një rast i tillë nuk duhet të ndodhë më. Nëse biznesi trembet për shkak të këtyre vendimeve absurde ne nuk mund ta lejojmë. Gjyqtarja është vlerësuar në vite, por ky është një vendim i rëndë në dëm të interesit të publikut. Ka shkelur ligjin dhe ka cenuar punën e gjyqtarit. Kam shkarkuar avokaten e avokaturës së shtetit dhe juristin e këtij institucioni. Avokaturës së përgjthshme të shtetit i kërkoj të thellojë analizën e punës së institucionit. Por kryetari i bashkisë Durrës po ashtu duhet të mbajë përgjegjësi. Prokurorit të shtetit bëj thirrje që të hetojë vlefshërinë e këtij vendimi, do ketë inspektime, po pres përfundimin e hetimeve. Kjo çështje meriton vëmendje të jashtëzakonshme. Të vendosë drejtësia nëse ka faje apo jo. Ky vendim ka marrë formë të prerë dhe ministria do inspektojë këtë vendim” tha Manjani.
ma.me