Situata ekonomike në Shqipëri duket se sa po vjen e përkeqësohet.
Të paktën kështu flasin të dhënat ekonomiko-financiare të cilat raportohen nga vetë institucionet shtetërore.
Familjet shqiptare po marrin më shumë hua se më parë, për mbijetesë. Sipas raportit të fundit të Bankës së Shqipërisë, familjet kanë rritur huanë për konsumin e mallrave të përditshëm.
Në raport thuhet se 35 % e tyre morën për konsum në gjysmën e parë të vitit. Banka ka intervistuar një kampionin rastësor prej 1,200 familjesh, në zona rurale e urbane.
Sipas anketës, një e treta e të intervistuarve kanë hua për të paguar, nivel ky lehtësisht më i ulët se gjashtëmujori i mëparshëm, por gjithsesi më i lartë se një vit më parë.
Në 43% të rasteve familjet huamarrëse u janë drejtuar burimeve formale të financimit si banka dhe institucione jobankare, ndërsa në 57% të rasteve marrin borxh në tregun e zi apo tek të afërmit.
Financimi informal është pak më i ulët krahasuar me më parë. Tre janë qëllimet kryesore të huamarrjes; për konsum 35% e rasteve; blerje/riparim prone 31% e rasteve) dhe zhvillim biznesi 13% e rasteve.
Familjet huamarrëse vlerësojnë rënie të këstit të kredisë gjatë periudhës referuese, duke reflektuar uljen e normës së ponderuar të kredisë për individët.
Gjithsesi, balanca financiare (të ardhura-shpenzime) të familjeve shënon ngushtim, për shkak të rritjes më të shpejtë të shpenzimeve në krahasim me të ardhurat.
Në lidhje me aftësinë paguese, vlerësohet një përmirësim i lehtë i aftësisë paguese në terma vjetorë dhe gjashtëmujorë, ndërsa pritshmëritë për pjesën e mbetur të vitit janë më optimiste.
Kërkesa për kredi mbetet e dobët, por mundësia për të marrë hua, është rritur lehtësisht në 6 muajt e fundit të vlerësuar, citohet Sot. (b.an)