Një tavolinë e rezervuar në zonën VIP të një lokali nate në zonën e Saukut është bërë shkak për përplasjen me armë mes disa të rinjve. Ngjarja ndodhi dje në orët e para të mëngjesit në Tiranë, para lokalit ku këndonte Rigels Rajku, i njohur me emrin Noizy.
Dy persona që dyshohet se u përfshinë në këtë konflikt u ndaluan nga shërbimet e Komisariatit nr.1, ndërsa personat që dyshohet se qëlluan me armë arritën të largoheshin me makinë, duke lënë pas vetëm targën, shkruan “Panorama”.
Burime nga Policia e Tiranës thanë dje se ngjarja ndodhi rreth orës 04:20 dhe njoftimi është dhënë në sallën e emergjencave nga banorët e zonës, të cilët i kanë shtëpitë shumë pranë lokalit ku ndodhi konflikti.
Të frikësuar për atë që po ndodhte afër dritareve të tyre, banorët kanë nxituar të telefonojnë policinë, duke thënë se aty po qëllohej me armë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit nr.1 e më pas edhe punonjësit e Njësisë “Shqiponja”.
Para derës kryesore të lokalit janë gjetur 4 gëzhoja arme, që dyshohet se i përkasin një pistolete të përdorur nga autorët, që sipas dëshmitarëve janë larguar me shpejtësi me një automjet tip “Mercedez Benz”. Ndërsa gjatë ndjekjes, policia ka mundur të ndalojë një tjetër “Mercedez Benz”, duke shoqëruar dy të rinjtë që po largoheshin nga vendngjarja.
HETIMI
Sipas dëshmitarëve që janë marrë në pyetje nga policia para lokalit të natës ka pasur një përleshje mes disa personave, që ka zgjatur disa minuta. Më pas janë dëgjuar disa të shtëna me armë, që sipas Policisë kanë qenë në ajër dhe nuk ka pasur persona të plagosur.
Menjëherë pas të shtënave, dëshmitarët kanë deklaruar se nga parkingu i lokalit janë larguar 4 automjete të ndryshme. Ndërsa vetëm dy makina janë identifikuar deri tani nga policia. Njëra është makinë ku janë ndaluar dy personat e dyshuar si të përfshirë në konflikt, shtetasit Elti Doçaj dhe Përparim Goxha, për të cilët ende nuk është marrë ndonjë masë nga policia.
Ndërsa makina tjetër, ku dyshohet se ndodheshin tre persona, ende nuk është ndaluar, edhe pse dëshmitarët kanë treguar targën dhe kanë deklaruar se në atë makinë ndodhet personi që ka qëlluar me armë.
Burime nga grupi hetimor thanë se, përveç dëshmive të personave që ndodheshin brenda lokalit por edhe jashtë tij, janë sekuestruar edhe pamjet e kamerave të sigurisë së lokalit, në bazë të të cilave është zbardhur dinamika e ngjarjes, ndërsa po verifikohen ende pamjet për të bërë të mundur identifikimin e autorëve.
Dy të shoqëruarit kanë treguar se sherri ka nisur brenda në lokal, për një tavolinë që ata kishin rezervuar në zonën VIP, por që ishte zënë nga disa persona të tjerë, që ata pretendojnë se nuk i njohin.
Sipas tyre, sherri ka nisur në momentin kur ata u kanë kërkuar këtyre personave që të lirojnë tavolinën. Më pas ngjarja është zhvilluar jashtë, kur është qëlluar edhe me armë.
ma.me