Banka e Shqipërisë deklaroi se rreziku i kreditimit në ekonomi u rrit në gjysmën e parë të këtij viti, për shkak të zgjerimit të kredive më probleme.Në raportin e fundit të stabilitetit financiar, Banka raporton se krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar kreditë e këqija u rritën me rreth 12.5 miliardë lekë duke prekur vlerën 119.3 miliardë lekë.
I shprehur si raport ndaj totalit, treguesi i kredive të pashlyera u rrit nga 18.2 përqind që ishtë në dhjetor në rreth 20 përqind në fund të gjashtëmujorit të parë, ndërkohë që treguesi ka vazhduar të rritet edhe në korrik, raporton Top Channel.
Kreditë e këqija u ulën ndjeshëm vitin e kaluar si rezultat i fshirjes masive të kredive të vjetra nga bilancet e bankave.
Kjo bën që pavarësisht rritjes në gjashtëmujorin e parë, krahasuar me qershorin e 2015, treguesi i kredive të këqija të jetë thuajse në të njëjtat nivele.
Banka e Shqipërisë vëren se sistemi po përballet me një fluks të ri të kredive të pashlyera, që sipas saj sinjalizohet nga zgjerimi i konsiderueshëm i huave nënstandarde.
Kjo është klasa e parë e kredive të këqija, e cila përfaqëson huatë që sapo kanë kaluar 90 ditë vonesë në shlyerjen e këstit. Statistikat e detajuara tregojnë se e gjithë rritja e huave me probleme ka ardhur nga biznesi, ndërsa individët janë më korrekt.
Në raportin analitik, Banka Qendrore konstaton se rritja e kredive me probleme në gjysmën e parë tregon për vështirësinë për vështirësinë që ka procesi i zgjidhjes së tyre dhe nevojën për monitorimin nga afër të këtij procesi.
Megjithatë, ajo pret që në afatmesëm kurba e kredive të këqija të vijë në rënie, citohet Express. (b.an)