A është bërë më e mira e mundshme nga ana e Shqipërisë për të përfituar nga një prej investimeve më të rëndësishme për ekonominë dhe pozicionimin gjeopolitik, siç është gazsjellësi Trans Adriatic Pipeline? A do të jenë përfitimet maksimale, krahasuar edhe me fqinjin jugor, Greqinë?
Në një intervistë për “Monitor”, Jenik Radon, asistent profesor pranë Columbia University në SHBA dhe ekspert i fushës, thotë se përfitimet e Shqipërisë janë minimale. Ai jep sugjerime se çfarë duhet të ndryshojë në dobi të interesit të publikut
Shqipëria nuk po merr atë që i takon
Flet Jenik Radon, asistent profesor, Columbia University, Nju Jork, SHBA
Jenik Radon është asistent profesor pranë Columbia University, Shkollës së Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike (SIPA), avokat në zyrën ligjore “Radon” në Nju Jork, zyrë ndërkombëtare e fokusuar ekskluzivisht në përfaqësimin e shteteve dhe ndërmarrjeve në pronësi shtetërore në sektorin e burimeve natyrore.
Ai është një ekspert i njohur në këshillimin e qeverive mbi tubacionet transndërkombëtare të energjisë (gaz dhe naftë). Në një intervistë për “Monitor”, ai jep opinionin e tij, për një nga investimet e huaja më të rëndësishme sot për sot për shtetin shqiptar, siç është projekti i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline që parashikon dërgimin e gazit nga fushat e Shah Deniz në Europë. Si një njohës i mirë i këtyre çështjeve dhe si avokat, profesor Radon tregon se ku fshihet “djalli”.
Profesor, si pozicionohet Shqipëria në tregun e gazit në Europë?
Shqipëria, aktualisht prodhon sasi të papërfillshme gazi dhe si e tillë, ka nevojë që të sigurojë gaz përmes furnizuesve të tjerë për të përmbushur nevojat e saj. Ajo ka nevojë të krijojë një sistem shpërndarjeje dhe transmetimi.
Shqipëria është një vend i vogël me rreth 3 milionë banorë, prandaj nuk është një treg i madh për furnizuesit e gazit.
Por, Shqipëria ka një distancë të shkurtër me jugun e Italisë, përgjatë Adriatikut, një vendndodhje strategjike. Si e tillë mund të kthehet në një pikë të rëndësishme tranzitimi për prodhuesit e gazit në Azerbajxhan, që do të transportohet përmes gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP), me perspektivë për gazin nga Iraku e Irani, kur situata të normalizohet në të ardhmen.
Por, që të mund të arrijë këtë, Shqipëria ka nevojë që të zhvillojë një strategji dhe një politikë që të jetë një vend tranzit për energjinë dhe si mund ta zhvillojë këtë pozicion. Duhet të merret në konsideratë fakti se sot, vendet anëtare të BE-së nuk janë tregje energjetike në rritje.
Nevojat për energji nuk do të rriten, veçanërisht nëse krahasohen me ato në tregje si Azia. Algjeria dhe Libia do të vazhdojnë të jenë konkurrentët direkt të Azerbajxhanit, si dhe prodhuesve të tjerë të Lindjes. Prandaj, një politikë e mirëmenduar është e nevojshme për Shqipërinë, në të ardhmen.
A ia mundëson pozicioni gjeografik Shqipërisë të kthehet në një vend të rëndësishëm të tranzitimit të energjisë, siç është Turqia?
Turqia ka një pozicion unik, strategjik në mesin e vendeve prodhuese të gazit, si; Azerbajxhani, Iraku, Irani dhe Bashkimi Europian. Gazi nga Azerbajxhani duhet të tranzitojë në Turqi, përmes tubave, që do të ishte një sipërmarrje e kushtueshme dhe teorikisht ndërtimi duhej të bëhej përmes Detit të Zi nga Gjeorgjia. Edhe gazi i Irakut duhet të tranzitohet përmes Turqisë.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për gazin iranian. Pozicioni i Shqipërisë nuk është unik dhe asaj i duhet që të konkurrojë me një rrugë tjetër tranzitimi përmes Bullgarisë dhe Rumanisë. Kjo konkurrencë është edhe historia e TAP. Në krahasim me këtë rrugë, Shqipëria ka avantazhin për t’i shërbyer jugut të Italisë. Nga ana tjetër, edhe gazi që vjen nga veriu i Afrikës është një konkurrent për tregun.
Në këto kushte, Shqipërisë i duhet të konkurrojë, sikundër bëri për të siguruar një vend në TAP. Për Turqinë mund të themi se është në ‘vendin e shoferit’. Ajo nuk ka konkurrentë realë, megjithatë pozicioni i Shqipërisë është i favorshëm.
Shqipëria, sikundër edhe Greqia, do të shërbejnë si vende tranziti për gazin që do të vijë nga Azerbajxhani për në Europë. Cili është roli i të qenët një vend tranzit?
Një vend tranzit ka rol të rëndësishëm, duke qenë se e bën territorin e tij të përshtatshëm për këtë rol. Në të vërtetë, një vend tranzit mund të jetë një blerës/dhe ose një konsumator brenda territorit të tij. Faktorët ekonomikë dhe politikë luajnë rol të rëndësishëm në çështjet që kanë të bëjnë me tranzitimin e një gazsjellësi.
Një gazsjellës është i kushtueshëm, ndaj edhe është e natyrshme që për ndërtimin e tij të zgjidhet rruga më ekonomike. Gjithashtu duhet të ndërtohet një gazsjellës i sigurt për mjedisin, si dhe stabilitetin ligjor. Një sistem ligjor i qëndrueshëm është çelësi dhe reforma që po ndërmerr Shqipëria për sundimin e ligjit shkon në këtë drejtim.
Prandaj, një vendi që ka stabilitet të sistemit ligjor i jepet përparësi. Megjithatë, ky nuk është i vetmi faktor i cili merret në konsideratë në ndërtimin e një gazsjellësi, duke qenë se ka edhe raste kur janë zhvilluar në zona me konflikte, si në Irak apo në pjesën jugore të Turqisë. Një kompani në vetvete nuk ka të drejtë tranzitimi, ndaj kjo e vë një shtet në pozita të favorshme dhe unike.
Për shembull: Gazsjellësi i Kejstonit, që u propozua për t’u ndërtuar nga Kanadaja në Gjirin e Meksikës kërkonte miratimin e qeverisë amerikane për të kaluar përmes kufirit me SHBA-në. Por qeveria amerikane nuk dha pëlqimin. Ndaj një shtet, kur jep miratimin për ndërtimin e një gazsjellësi në territorin e tij, i garanton privilegje kompanisë që do ta realizojë atë.
Në të vërtetë është garantuesi i një licence. Logjikisht, një vend transitor ka përfitime nga dhënia e privilegjeve, veçanërisht nëse tubacioni do të shtrihet në një pjesë të konsiderueshme të territorit dhe do të ndikojë në jetën e popullsisë së zonës. Kur këto përfitime mungojnë, lind pyetja, përse duhet ta garantojë në radhë të parë shteti këtë privilegj?
Pra, nuk ka arsye përse një shtet tranzit të mos ketë të drejtën për të negociuar kushte të favorshme. Sepse siç thotë edhe shprehja: Nëse nuk guxon, nuk fiton.
Në rastin e Shqipërisë, duke qenë se synohet integrimi në BE (vendi nuk është aktualisht anëtar), ligjet dhe rregullat mund të jenë relevante dhe është e nevojshme përmbushja e tyre. Por, kjo nuk do të thotë se ato nuk mund të diskutohen apo të ketë edhe përjashtime gjatë negocimeve.
Përjashtimet mund dhe duhet të jepen. TAP AG, konsorciumi ndërtues me seli në Zvicër (për ironi nuk është vend i BE-së) përfitoi një përjashtim si rezultat i faktit se gazsjellësi nuk është një tubacion që ka akses të hapur. Efektivisht, TAP AG është kthyer në një monopol.
Prandaj, në këto kushte për Shqipërinë ka ose kishte hapësira të mjaftueshme për të negociuar kushte të favorshme dhe për të zbatuar rregullat e tranzitimit. Por, kjo nuk u bë.
Nëse një shtet tranzitor nuk është përfituesi i parë i një gazsjellësi, siç është TAP, cilët janë përfituesit kryesorë?
Ka shumë përfitues, por më kryesorët janë prodhuesit. Në rastin e TAP, përfituesit më të mëdhenj janë kompanitë që do të zhvillojnë gazin në fushat e Azerbajxhanit.
Këtu përfshihet SOCAR, kompania shtetërore e gazit dhe e naftës e Azerbajxhanit, BP një kompani e madhe ndërkombëtare e naftës, si dhe kompani të tjera të përfshira në procese të ndryshme. Këto kompani kanë nevojë për një rrugë transporti efektive, pa dalje në det nga Azerbajxhani në mënyrë që gazi të shkojë në treg. Këto kompani janë përfitueset më të mëdha, janë ato që do të korrin fitime nga eksplorimi/dhe ose prodhimi.
Historikisht, në sektorin e energjisë, zhvilluesit e eksplorimit/prodhimit janë ata që marrin edhe përftimet më të mëdha. Si rrjedhojë kompanitë prodhuese kanë interes që të mbajnë kostot e transportit, qoftë gazsjellës apo jo, sa më të ulëta që të jetë e mundur, për të siguruar përfitimet e tyre. Nëse kostot e transportit rriten, atëherë fitimet e tyre, në mënyrë direkte ose indirekte, do të ulen.
Për fat të keq, këto kompani duan që publiku të besojë se transporti është një aktivitet ekonomik dhe tregtar i pavarur nga procesi i eksplorimit dhe prodhimit. Kjo është e vërtetë në rastet kur transporti është qëllimi kryesor, por ky nuk është rasti i gazsjellësve, veçanërisht i atyre që kanë marrë të drejtën të funksionojnë si monopole. Prodhimi dhe transportimi, në rastin e gazsjellësve, janë një sipërmarrje integrale dhe duhet të shihen si një biznes i vetëm, edhe nëse janë të strukturuar ndarazi.
E përsëris, kjo nuk është ajo çka kompanitë deklarojnë. Në rastin e TAP AG, disa nga aksionerët, përveç SOCAR dhe BP, përfaqësojnë kompani ndërtimi, menaxhimi të infrastrukturës së gazit, transmetimi ose operatorë. Të tillë janë: Snam, Fluxys, Enagás dhe Axpo. Këto kompani do të korrin fitime përmes shërbimeve si ndërtimi, operimi dhe shpërndarja. Për të gjitha këto kompani, TAP AG është një mënyrë për të fituar përmes vlerës së shtuar të shërbimeve që ata ofrojnë.
Çfarë përfiton Shqipëria?
Çuditërisht, të ardhurat nga taksa mbi fitimet janë parashikuar të ulëta. Për shembull: Shqipëria, brenda një periudhe të shkurtër, gjatë ndërtimit të TAP deri në vitin 2018 parashikon të realizojë të ardhura nga taksat në vlerën 5 milionë euro ose 5.6 milionë dollarë të ardhura nga taksat direkte. Kjo nuk është një vlerë e madhe për shtetin shqiptar.
Pra, nëse të ardhurat nga taksat nuk do të jenë të larta, atëherë lind pyetja, çfarë do të përfitojë Shqipëria nga tranzitimi i gazsjellësit në territorin e tij?
Do të ketë disa përfitime në terma lokalë, siç është punësimi për ndërtimin e gazsjellësit. Megjithatë, shumë pak vende pune të përhershme do të krijohen nga TAP AG në Shqipëri.
Kompania, TAP AG do të dojë të furnizohet me lëndë të parë nga furnitorët vendas, por vlerësimet për blerjet lokale nga ana e TAP AG janë të ulëta, që ka gjasa të jenë shpenzime gjatë kohës së ndërtimit të tubacionit.
Investimet që kanë të bëjnë me mjedisin nuk mund të kategorizohen si të tilla në Shqipëri, pasi ato janë të lidhura me përgatitjen e terrenit dhe kthimin e tij në origjinë. TAP AG ka detyrimin të realizojë ndërhyrje në infrastrukturë për ta kthyer mjedisin në gjendjen origjinale dhe konsiderimi i tij si investim do të ishte një term i gabuar.
Nga ana tjetër, ndërtimi i rrugëve të aksesit janë të nevojshme për gazsjellësin dhe operimin e tij, çka do të thotë se ky është një shpenzim i domosdoshëm për këtë sipërmarrje.
Gjithsesi, përmirësimi i infrastrukturës në zonat ku do të kalojë tubacioni do t’i shërbejë popullsisë. Këto ndërhyrje nuk kanë qenë të kërkuara nga shteti shqiptar.
Vendet e punës do të reduktohen me përfundimin e fazës së ndërtimit. Kjo tregon se Shqipëria nuk do të ketë ndonjë përfitim të madh në punësim, në terma afatgjatë. Bazuar në të gjitha këto, unë do të shkoj më tej dhe të them se Shqipëria nuk po kompensohet siç duhet, duke qenë se ka vënë në dispozicion territorin e saj. Nuk do të marrë asnjë taksë tranzitimi, gjë që nuk është në përputhje me direktivat e BE-së dhe përjashtimi do të duhet të ishte negociuar po me BE-në.
Mbi të gjitha, Shqipëria do të përfitojë gaz me çmimet e tregut, çka do të thotë se do të paguajë një tarifë të njëjtë si çdo konsumator tjetër. Natyrisht ky nuk është kompensim për vënien në dispozicion të territorit. Pra, Shqipëria nuk po merr ndonjë përfitim domethënës.
Siç e përmenda, nëse Shqipëria do të përfitonte tarifë tranziti ose ndonjë formë tjetër kompensimi, do të duhet të negocionte për një përjashtim nga rregullat e BE-së, duke qenë se rregullorja përcakton se tubat e gazsjellësve konsiderohen si infrastrukturë, që do të thotë se janë të rregulluara sipas normave më të larta, por nuk kompensohen në të njëjtat nivele.
Lind pyetja: Nëse TAP AG e përfitoi një përjashtim, përse nuk mund të vlejë e njëjta gjë në rastin e një shteti tranzit?
Kjo duket e padrejtë, pavarësisht se është politikë e BE-së. Por përse një shtet tranzit nuk merr kompensim, sidomos kur ka për t’u përballuar edhe me rreziqe në territorin e saj. Unë e kam trajtuar këtë në një artikull tim me titull: “Të paguash një çmim të lartë për të qenë një shtet tranzit”, që është publikuar edhe nga Sekretariati i Kartës së Energjisë.
Çfarë përfitimesh do të sjellë për shtetin shqiptar Trans Adriatic Pipeline (TAP)?
Sikundër u shpreha edhe më lart, përfitimet ekonomike për Shqipërinë janë të pakta dhe shumë nga përfitimet e mundshme janë lënë në gjykimin e TAP, ato janë me baza vullnetare dhe kanë të bëjnë kryesisht me zhvillimin e komunitetit.
Pyetja është nëse këto përfitime të kufizuara (disa nga të cilat janë të detyrueshme, të tilla si pagesa e taksave, por shumë prej të cilave kanë mbetur, në diskrecionin e TAP) janë më të mëdha se kostot dhe rreziqet për Shqipërinë? Dhe rreziqe ka. Ato mund të jenë të mëdha, nëse do të ndodhin ndonjëherë.
Të çfarë natyre mund të jenë?
Kostot që Shqipëria mund të ketë si një vend tranzit janë të konsiderueshme, të menjëhershme dhe në afatgjatë.
Si të menjëhershme do të nënvizoja ndikimin te komunitetet nga ku do të kalojë gazsjellësi. Nuk ka kosto kombëtare, por kosto reale që kanë të bëjnë me individët.
Sot, ka shumë instanca ku udhëheqësit e botës dhe elitat politike marrin vendime që kanë ndikim të gjerë mbi komunitetet dhe njerëzit në vendet e tyre. Këta udhëheqës nuk jetojnë vetë me këto vendime.
Kjo krijon konflikte dhe nuk mund të neglizhohet. Konfliktet e komuniteteve janë në rritje në zonat pranë burimeve natyrore dhe projekteve të infrastrukturës. Në themel të këtyre konflikteve është distanca psikologjike, emocionale dhe fizike e politikëbërësve dhe komuniteteve të prekura.
Edhe pse TAP është një projekt me rëndësi kombëtare, e që për nga pozitat e BE-së është një projekt i mirëkuptuar, nuk duhet harruar se është krijuar për të realizuar përfitime, aksionerët e tij do të ndajnë fitime. Por, çështja qëndron te njerëzit, tek ata që iu është kërkuar të japin pronën, të vuajnë pasojat pa asnjë përfitim të prekshëm. Përfitimet e tij nuk po ndahen me njerëzit. Kosto të tjera kanë të bëjnë me mjedisin.
Më tej, nëse ndonjëherë ndodh një shpërthim, siç ndodh kudo, njerëzit mund të lëndohen. Ka një rrezik real. I tillë ishte edhe rasti që ndodhi pak vite më parë në Kaliforni, ku shumë njerëz humbën jetën. Por, kur TAP do të përfundojë, kur pas 30 apo 40 vjetësh do të kërkohet që të hiqen tubat, toka do të duhet të kthehet në gjendjen origjinale. Ndaj rreziqet janë reale, veçanërisht në nivel lokal.
Natyrisht, ndikimet dhe rreziqet në mjedis janë të parashikuara në Marrëveshjen e Ndikimit në Mjedis. Parimi që duhet të udhëheqë, duhet të jetë që zonat e prekura duhet të rikthehen në gjendjen e tyre origjinale me teknologjinë më të lartë dhe të përparuar. Kjo duhet të jetë një kërkesë absolute dhe jo të lihet mënjanë. Për fat të keq, nuk ka standarde objektive, prandaj shpesh mosrealizimi i tyre justifikohet me kostot e larta.
Megjithatë, Shqipëria nga TAP do të ketë një përfitim pozitiv. Ajo do të sjellë energjinë e nevojshme në treg. Por, sikundër e vura në dukje është e rëndësishme që shteti, por edhe individët, duhet të kompensohen plotësisht. Të gjitha palët janë partnere efektive dhe duhet të trajtohen si të tilla, të paguhen si të tilla. Dhe për këtë arsye, besoj se kompensim do të thotë ndarje, ndarje e fitimeve të projektit të tubacionit.
A mendoni se përfitimet tejkalojnë kostot në rastin e Shqipërisë?
Nga çfarë kuptoj unë nga projekti, kostot dhe rreziqet nuk i tejkalojnë përfitimet ekonomike. Ndaj, përfitimi real i ekonomisë shqiptare nga ky projekt është afrimi me integrimin në BE, e cila është e rëndësishme. Por, për Shqipërinë dhe shqiptarët duhet të ishte negociuar një marrëveshje më e mirë.
Si përcaktohen përfitimet dhe kostot? A ka marrëveshje të nënshkruara?
Unë jam një avokat dhe e shikoj këtë çështje nga kjo pikëpamje. Të gjitha përfitimet duhet të jenë të paraqitura në një marrëveshje, nga ana tjetër në të duhet të përcaktohen edhe penalitetet, për çdo dështim të mundshëm.
Për shembull, nëse një kompani shtetërore do të punësonte një numër të caktuar punonjësish me një pagë të caktuar, kjo duhet të realizohet përmes një marrëveshje të shkruar. Asgjë nuk i duhet lënë rastësisë dhe as veprimeve vullnetare të TAP AG. Të gjitha veprimet duhet të trajtohen sipas ligjeve ndërkombëtare, veçanërisht marrëveshjet për investime dhe tregti.
A do të përfitojnë komunitetet nga do të kalojë TAP? Po për sa u përket atyre personave që toka iu është marrë në përdorim?
Nuk jam i sigurt nëse këto komunitete do të përfitojnë realisht. TAP, në faqen e tij të internetit, thotë se do të paguajë kompensim për pronarët e tokave. Por, kjo cenon parimin standard të tregut, çka do të thotë një vlerë më e lartë dhe përdorimi më i mirë i mundshëm, kjo është më shumë sesa ajo që fermerët marrin nga përdorimi i tokës.
Duhet të nënkuptoni se bëhet fjalë për shitje të detyruar. Toka mund të ketë qenë në përdorim ndër breza dhe tani do të duhet të ndryshojë destinacion. Pra, me pak fjalë, nuk ka realisht përfitime domethënëse për individët. Në opinionin tim, këta individë duhet të konsiderohen si partnerë. Nuk mjafton që t’u thuash thjesht këtyre personave se do të kompensohen.
Ka një parim në fushën e pasurive të paluajtshme, në fakt tre: vendndodhja, vendndodhja, vendndodhja. Kjo do të thotë se pronarët e tokave duket të kompensohen në mënyrë të drejtë. Komunitetet nuk duhet të trajtohen si imput, por si palë.
Kur Shqipëria nënshkroi marrëveshjen e vendit pritës me TAP AG ka qenë në një pozitë të dobët për të tërhequr një investim të përmasave të tilla.
Nëse ju do të ishit këshilltar i Shqipërisë, a do ta kishit rekomanduar këtë marrëveshje?
Termat e marrëveshjes së pranimit nuk kanë qenë të favorshme për Shqipërinë. TAP AG ka injoruar konceptet bazë. Për një kompani, tranzitimi përmes një shteti është privilegj dhe jo një e drejtë.
Ndaj, po, unë kam një listë të gjatë me kundërshtime.
Secila nga kompanitë aksionere e TAP AG duhet të kishte dhënë një garanci të pakualifikuar për detyrimet, veçanërisht për kostot mjedisore, të dëmtimit të pronës, si dhe kompensimit për humbje jete në rast se ndonjëherë mund të ndodhë ndonjë shpërthim, për kostot e riparimeve etj.
TAP AG ka kërkuar heqjen e imunitetit sovran nga Shqipëria, por aksionerët/pronarë të TAP AG janë të izoluar nga çdo përgjegjësi. Pse?
Kjo nuk është aspak e drejtë. Kjo nuk është një marrëveshje e ekuilibruar. Shqipëria heq dorë nga imuniteti, por aksionerët jo (?!) Pa një marrëveshje garantuese aksionere, nëse TAP AG nuk do të ketë fonde ose burime teknike, për shembull, për ta rikthyer vendin në origjinë pas heqjes së tubave, kush do të paguajë? Në gjuhën juridike, kjo mund të cilësohet një marrëveshje e paarsyeshme për Shqipërinë dhe popullin e saj.
Marrëveshje e pafavorshme
Termat e marrëveshjes së pranimit nuk kanë qenë të favorshme për Shqipërinë. TAP AG ka injoruar konceptet bazë. Për një kompani, tranzitimi përmes një shteti është privilegj dhe jo një e drejtë.
Po çfarë mungesash të tjera keni konstatuar në marrëveshjen e vendit pritës (HGA)?
Më duhet të jem i sinqertë, lista është e gjatë dhe unë mund të rendis katër sa për ilustrim. Nuk hezitoj aspak të them se në këtë marrëveshje janë lënë jashtë interesat e Shqipërisë.
Interesi publik
Le të nisim me politikat tradicionale publike.
Duke pasur parasysh natyrën afatgjatë të projekteve të gazsjellësve është e nevojshme që të ruhen të drejtat e rezervuara të Shqipërisë, për të rregulluar në një mënyrë jodiskriminuese çështjet që kanë të bëjnë me shëndetin, sigurinë dhe çështjet e mjedisit. Kjo e drejtë duhet të parashikohet, të ketë edhe përjashtime dhe të përcaktohen edhe hapësirat për ndryshime ligjore në marrëveshjen pritëse (HGA).
Në rastin e Shqipërisë, politikat publike që kanë të bëjnë ekskluzivisht me të drejtën për ndryshime në ligj krijojnë barriera të panevojshme dhe të padrejta për shtetin shqiptar, duke treguar se këto politika janë ‘të kërkuara në mënyrë të arsyeshme’. Po kush e vendos se çfarë është e arsyeshme? Kush e merr vendimin për politikat publike? Mund të jenë gjyqtarët anglezë, duke qenë se Shqipëria ka pranuar juridiksionin e një gjykate në Angli. Kjo është krejtësisht e pajustifikuar.
Rregullime të tilla nuk janë subjekte të arbitrazhit. Gjyqtarët nuk janë zyrtarë publikë, në fakt në të shumtën e rasteve janë avokatë që paguhen shumë nga korporatat. Në të kaluarën ka pasur raste të ngjashme, si: Phillip Morris vs. Australia, ku investitori sfidoi entin rregullator të shëndetit.
Në rastin e Shqipërisë është e paqartë se çfarë mund të bëhet objekt i gjykimit në arbitrash, në lidhje me marrëveshjen e vendit pritës (HGA).
Fondi i dekomisionimit, i dorëzanisë dhe i emergjencave
Pas 30 apo 40 vjetësh, projekti TAP mund të zhvendoset dhe tubacionet të hiqen, kështu toka do të kërkojë të kthehet në gjendje origjinale. Marrëveshja pritëse e Shqipërisë dhe e Greqisë parashikon një plan për nxjerrjen nga përdorimi, por pa afate të qarta. Ky plan duhet të rifreskohet periodikisht dhe duhet të marrë miratimin e qeverisë gjatë gjithë jetës së projektit.
Fondi i nevojshëm për këtë zë duhet të përfshihet në një llogari dorëzanie dhe duhet të jetë i ndarë nga fondet operacionale. Aksionerët e TAP AG duhet të garantojnë mosprekjen e këtij fondi.
Nga ana tjetër, marrëveshja pritëse HGA, kërkon një plan për restaurimet dhe për njerëzit që mund të preken, por ai mbulon kostot për humbjen e tokës, por jo për ndonjë dëmtim apo lëndim të mundshëm të personave. Pra, edhe ky fond është i pamjaftueshëm.
TAP AG ka detyrimin për të përcaktuar një fond emergjencash, e cila do të lejonte aksesin e menjëhershëm të tyre në rast të ndonjë situate të pazakontë, si aksident, shpërthim etj. Për momentin nuk ka një fond të tillë.
Dokumenti i heqjes dorë
Marrëveshja pritëse e Shqipërisë, parashikon rastet kur mund të hiqet dorë nga imuniteti sovran, me disa përjashtime. Në mënyrë efektive, kjo nënkupton se Shqipëria mund të paditet lehtë për shkelje të detyrimeve në kuadër të HGA-së dhe vendi do të duhet të paguajë bazuar vetëm në disa vërejtje. P
ër më tepër, Shqipëria ka pranuar juridiksionin e gjykatave ndërkombëtare, veçanërisht ato angleze. Anglia nuk do ta bënte kurrë këtë, po Shqipëria përse po e lejon? Çfarë do të përfitojë Shqipëria që lejon një gjë të tillë? Pse duhet Shqipëria të vuajë një detyrim të tillë për të dhënë këtë të drejtë?
Marrëveshja pritëse është ligj
Marrëveshjet pritëse, si ajo e Shqipërisë, ashtu edhe e Greqisë, janë pjesë e legjislacioneve përkatëse.
Mbi çfarë logjike juridike një marrëveshje tregtare për infrastrukturën, me një kompani private që në këtë rast është TAP AG, me seli në Zvicër kthehet në ligj? Kjo është e pakuptueshme. Kjo e vë TAP AG mbi ligjin. Sepse në këtë rast, HGA është ligj mbi ligjin. Dhe unë e kam një term për këtë: Kolonializëm ligjor.
Marrëveshja pritëse e Greqisë lejon ndryshimet ligjore në përbërjen e saj, ndërsa ajo shqiptare, jo.
Nga ana tjetër, Shqipëria duhet të përmbushë detyrimet ndërkombëtare të marrëveshjes HGA, që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut në përputhje standardin e “kërkesave të arsyeshme”. Kjo nuk është interpretuar as nga qeveria dhe as nga gjykata shqiptare, duke vendosur kufizime mbi zbatimin e ligjit. Marrëveshja pritëse greke nuk e bën këtë.
A mund të krahasohen marrëveshjet pritëse mes Shqipërisë dhe Greqisë?
Marrëveshja pritëse për Greqinë është shumë herë më e favorshme se ajo për Shqipërinë dhe më lejoni të jap disa argumente.
Ndryshimi i ligjit
Nga krahasimi i dispozitave që lidhen me “ndryshe në ligj” në Shqipëri ose Greqi, për shembull, është e qartë që Greqisë i janë propozuar kushte më të mira. Greqia ka të drejtë të zbatojë ligje, siç kërkohet, për të përmbushur detyrimet e saj ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ajo gjithashtu mund të miratojë ligje të reja ose të ndryshojë ligjet e saj në lidhje me punën dhe mjedisin.
Shqipërisë, në radhë të parë, i duhet të provojë se ndryshime të tilla janë “kërkesa të arsyeshme” për të përmbushur detyrimin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Shtetit grek nuk i është vendosur barra e provës. Për më tepër do të jenë gjyqtarët ndërkombëtarë, veçanërisht ata anglezë, që do të përcaktojnë se çfarë është e arsyeshme ose jo në Shqipëri. Kjo nuk është aspak e arsyeshme. Dhe është në mënyrë të njëanshme në dëm të Shqipërisë.
Detyrim lehtësimi
Në HGA-në e Shqipërisë, ndër të tjera, parashikohet që në raste të dëmtimeve nga forca madhore, të jetë shteti që duhet të zbusë pasojat. Një gjë e tillë nuk është parashikuar në marrëveshjen e Greqisë.
Çështjet e mjedisit, komunitetit etj.
Lista e standardeve për mbrojtjen e mjedisit dhe ato sociale janë të njëjta si në Greqi, edhe në Shqipëri. Megjithatë, HGA shqiptare ka kufizuar përgjegjësinë e TAP AG, duke kërkuar konfirmim që gjithçka është në përputhje me ligjin shqiptar.
Pra, çfarë ndodh në qoftë se ajo nuk është, por Shqipëria ka konfirmuar se ajo është e tillë? Shqipëria duket se përjashtohet nga anulimi i lejes mjedisore, e cila efektivisht e ndalon atë që të veprojë si një rregullator. Asnjë kufizim i tillë nuk i është vendosur Greqisë.
Lokaliteti
Formulimi për kërkesat me përmbajtje lokale janë dukshëm të ndryshme në të dyja marrëveshjet. Ajo greke pranon se projekti është një investim i madh dhe kontraktorët e forca e punës do të përfitojnë maksimalisht. Në marrëveshjen shqiptare ky përkufizim mungon.
Megjithatë, nga pala shqiptare kërkohet që TAP AG vetëm t’u japë përparësi furnizuesve shqiptarë, nëse ata janë konkurrues. Marrëveshja greke nuk e përmban një kërkesë të tillë. Në fakt, ajo kërkon që TAP AG të nxisë angazhimin e kompanive greke, të sigurojë se nuk ka ndonjë diskriminim ndaj tyre, si dhe që ofertuesit janë të vetëdijshëm për përfitimet e kompanive greke.
Taksat
Marrëveshja e vendit pritës me Greqinë parashikon që të respektohen ndryshimet e caktuara në ligjin për taksat dhe kodet. Rregulli i përgjithshëm, nën marrëveshjen shqiptare, është se ligjet dhe normat tatimore janë të zbatueshme për TAP AG për kohëzgjatjen e projektit. Efekti neto i kësaj është se Greqia mund të fitojë më shumë të ardhura nga taksat në të ardhmen.
A keni ndonjë rekomandim për Shqipërinë?
Kjo është një pyetje e vështirë. Unë besoj në shtetin e së drejtës dhe në shenjtërinë e kontratave, çka do të thotë se marrëveshjet duhet të mbështeten dhe të respektohen nga palët që e kanë nënshkruar. Ndaj unë do të sugjeroja që kjo marrëveshje të rishikohej hap pas hapi. Për këtë mund të krijohej një komision i pavarur. Gjetjet e tij duhet të bëhen publike dhe të jenë transparente. Minimalisht Shqipëria duhet të kërkojë që të krahasojë marrëveshjen me atë greke.
Shqipëria duhet të kërkojë garanci të pakushtëzuara për të gjithë aksionerët/pronarët e TAP AG; të sigurohet që do të krijohet Fondi i Emergjencës, në mënyrë që njerëzit do të kompensohen shpejt. Siç thuhet: “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.
Nga ana tjetër, TAP AG dhe aksionerët e saj duhet të krijojnë një fond për rehabilitimet, që duhet të jetë një llogari e dedikuar. Këto janë vetëm disa nga veprimet që mund të ndërmerren për të adresuar çështjet e marrëveshjes së vendit pritës për Shqipërinë.
Shqipëria ka të drejtën, po, po, të drejtën për të pasur një marrëveshje më të mirë. Shqipëria ka një të drejtë për të dhënë dhe për të duhet të tregohet respekt.
Përfitimi
Përfitimi real i ekonomisë shqiptare nga ky projekt është afrimi me integrimin në BE, e cila është e rëndësishme
Kërkesa
Shqipëria duhet të kërkojë garanci të pakushtëzuara për të gjithë aksionerët/pronarët e TAP AG; të sigurohet që do të krijohet Fondi i Emergjencës në mënyrë që njerëzit do të kompensohen shpejt dhe drejt. Siç thuhet: “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”.
Lokaliteti
Pala shqiptare kërkon që TAP AG vetëm t’u japë përparësi furnizuesve shqiptarë, nëse ata janë konkurrues. Marrëveshja greke nuk e përmban një kërkesë të tillë. Në fakt, ajo kërkon që TAP AG të nxisë angazhimin e kompanive greke, të sigurojë se nuk ka ndonjë diskriminim ndaj tyre, si dhe që ofertuesit janë të vetëdijshëm për përfitimet e kompanive greke./MONITOR