Kryeministri Isa Mustafa, në një bisedë për të përditshmen malazeze “Pobjeda”, ka deklaruar se institucionet në Prishtinë po punojnë në zgjidhjen e problemit të demarkacionit me Malin e Zi, me qëllim që “marrëveshja të miratohet së shpejti”.
Në këtë intervistë, Mustafa tha se “institucionet e Kosovës po punojnë që të arrijnë një numër të mjaftueshëm votash për të miratuar marrëveshjen në Kuvendin e Kosovës”.
“Tani po bisedojmë në terren me banorët e komunave që kanë ankesa në këtë proces dhe po provojmë që edhe me opozitën ta zgjidhim këtë çështje”, ka thënë Mustafa për “Pobjedën” në Neë York, në kuadër të mbledhjes së 71-të të OKB-së.
Ai ka vlerësuar se raportet mes Kosovës dhe Malit të Zi, pavarësisht çështjes së pazgjidhur ende të demarkacionit, janë shumë të mira.
“E kemi pasur përkrahjen e Malit të Zi në të gjitha proceset e deritashme. Tani na takon neve që ta zgjidhim çështjen e demarkacionit dhe jemi duke punuar në këtë. Mendoj se do ta zgjidhim. Mali i Zi e ka kryer punën. Ne s’kemi asnjë vërejtje për sa i përket sjelljes së Malit të Zi në këtë proces. Kjo tani është çështje e brendshme e Kosovës”, ka thënë kreu i ekzekutivit kosovar, transmeton Koha.net.
Qeveria e Kosovës e tërhoqi nga Kuvendi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion të kufirit me Malin e Zi, që u nënshkrua në gusht të vitit 2015 në Vjenë në praninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë. Mali i Zi ka miratuar marrëveshjen. (b.an)