Rastet e plagosjes së gjimnazistëve në sherre, ku janë përdorur armë të ftohta, kanë vënë në alarm Policinë e Tiranës. Ndonëse shkollat e mesme, por dhe ato 9-vjeçare monitorohen nga shërbimet e policisë, uniformat blu kërkojnë bashkëpunimin e stafit pedagogjik dhe punonjësve të sigurisë në këto institucione arsimore.
“Kemi parashikuar që çdo shkollë do të mbahet në mbikqyrje nga strukturat e policisë. Nuk realizohet kontrolli në shkolla. Dhe këtu duhet të jetë edhe këmbëngulja e drejtuesve të shkollave dhe drejtorisë qendrore arsimore që të japë detyrë parësore monitorimin. Mësuesit janë vendimtar në këtë proces pasi ata e kanë informacionin”, shprehet Dimitraq Ziu, zëvendësdrejtor i Policisë së Tiranës.
Policia është e pakënaqur edhe me psikologët e shkollave.
“Nga informacionet që ne kemi konstatohet raporti i një psikologu me tre shkolla. Sot, ne po shikojmë që kriminaliteti me adoleshentët po merr përparësi. Psikologu mund të luajë rol vendimtar”, thotë Ziu.
Vetëm gjatë 2 javëve të fundit, dy 16 vjeçar kanë mbetur të plagosur me thika pas sherreve mes adoleshentëve, ndërsa një tjetër u vetëplagos pa dashje me një pistoletë që e mbante pa leje./tch/a.m.