Brenda këtij viti pritet të miratohet ligji i ri i strehimit, i cili do të sjellë ndryshime jo vetëm në programet që do të aplikohen, por edhe kategoritë që do të përfitojnë, si edhe kriteret e përzgjedhjes.
Ministria e Zhvillimit Urban ka përmbyllur dje fazën e konsultimeve me grupet e interesit dhe shumë shpejt drafti do të dërgohet në Qeveri për aprovim, raporton “Panorama”.
PROGRAMET
Do të jenë 6 programe sociale, që do të zbatohen për t’u ardhur në ndihmë të pastrehëve. Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, vuri në dukje se programet e reja do të adresojnë familjet në nevojë, duke përfshirë edhe ato që trajtohen me ndihmë ekonomike.
Kështu, krahas ndarjes së banesave sociale me qira dhe banesave me kosto të ulët, në skemë janë përfshirë edhe disa programe të tjera, siç është ai për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi, krijimi i strehave të përkohshme, si edhe programi për ndërtimin e banesave të specializuara.
“Kemi përfshirë kategori qytetarësh, edhe familje që kanë të ardhura shumë pakta ose ato familje që marrin ndihmë ekonomike. Një risi tjetër është krijimi i pronarit social, që iu jep sërish mundësi subjekteve private të hyjnë në marrëdhënie me bashkitë për t’i dhënë me qira banesat e tyre. Risi tjetër është rikonstruksioni i godinave ekzistuese që kanë humbur funksionin e tyre”, tha ministrja Gjermeni.
Veç familjeve që marrin asistencë, kategori të tjera që do të mbështeten për strehim do të jenë jetimët, personat me aftësi të kufizuara, familjet e policëve të rënë në detyrë, emigrantët e rikthyer, prindërit e vetëm që kanë në ngarkim fëmijë, si edhe qytetarët që do të përjashtohen nga procesi legalizues.
KRITERET
Do të jenë një sërë kriteresh, të cilat do të merren në konsideratë në procesin e përzgjedhjes së përfituesve. Kështu, të favorizuar do të jenë ata që nuk kanë banesë në bashkëpronësi, banojnë në banesa që janë në rrezik shembjeje, ose kanë mbetur të pastrehë si rezultat i fatkeqësive natyrore dhe zbatimit të një vendimi gjyqësor.
Sa u takon kushteve familjare, përparësi do të kenë familjet njëprindërore, të moshuarit që kanë dalë në pension, familjet me më shumë se 4 fëmijë, si edhe çiftet e reja me moshë totale deri në 60 vjeç. Në vendin tonë, sipas të dhënave zyrtare, janë 35 mijë familje me status “të pastrehë”.
Mungesa e të ardhurave ka penalizuar shumë familje që, edhe pse kanë qenë në kushte emergjente, nuk kanë përfituar nga programet e strehimit. Për këtë arsye, shërbimet ndaj tyre do të jenë në formën e një pakete. Pra, veç strehimit, atyre do t’u mbulohen shpenzimet për kujdes shëndetësor, arsim, si edhe më e rëndësishmja, do të trajnohen për t’u integruar në tregun e punës./a.m.