Një fenomen i pazakontë ka ndodhur sot në Fushë Krujë aty ku rrjedha e lumit Zezë ka “marrë” me vete qindra rrënjë hashash të cilat jo vetëm kanë çuditur banorët por edhe kanë shtuar ndotjen në ujërat e lumit. Sipas banorëve ky fenomen është shfaqur sot dhe dyshohet se rrënjët e hashashit kanë përfunduar aty pas reshjeve të dendura të shiut të cilat përfshinë zonën e Krujës për disa ditë me radhë. Degët e hashashit lundrojnë në ujërat e lumit pa u hequr nga askush, ndërkohë që janë të shpërndara në sipërfaqe të ndryshme të gjatësisë së tij në të dy anët.
Askush nuk di të thotë se nga cili vend apo fshat janë hedhur apo kanë ardhur këto degë kanabisi në lum, por një gjë është e sigurt se prejardhja e tyre është nga parcelat e drogës dhe sot notojnë mbi ujë e mendohet që sasia më e madhe e tyre mund të gjendet në dy anët e lumit të mbuluar nga një pyll i dendur. Lumi Zezë buron afër Bovillës dhe bashkohet me lumin Ishëm në pjesën fundore të fshatit Luz.
ma.me