Nga ana tjetër, referuar tabelave të pagesave të kryera nga buxheti i shtetit shqiptar gjatë vitit 2016, në portalin “Spending Data Albania”, rezulton se në datën 24 maj 2016, kompanitë fituese të tenderit të uniformës së re të Policisë kanë marrë një pagesë në lidhje me këtë artikull, shkruan “Panorama”.
Më konkretisht, nga buxheti i shtetit është paguar në llogarinë e bashkimit të kompanive fituese në tender, “Marsi & AL”, shuma prej 22 milionë lekësh të rinj. Institucioni që ka bërë pagesën ka qenë Qendra e Furnizimit të Materialeve Teknike, organ në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit që kryen blerjet e materialeve që përdoren nga uniformat blu.
Kompania në fjalë duket se edhe pas tenderit të uniformave të Policisë, e ka vazhduar më tej aktivitetin e saj, pasi sipas tabelave të publikuara nga “Spending Data Albania”, nga 1 janari 2015 deri më 19 shtator 2016, ka arkëtuar në llogaritë bankare rreth 700 milionë lekë nga institucione të ndryshme pas tenderëve të fituar në to.
HETIMI
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal në lidhje me tenderin e zhvilluar në fund të vitit 2015, pasi është konstatuar se uniforma është prodhuar në Shqipëri, ndërkohë që kriteri ishte që të vinte nga Turqia.Ky fakt është konfirmuar nga verifikimet në dogana ku nuk është gjetur asnjë e dhënë apo deklaratë doganore për hyrjen e uniformës në Shqipëri. Për këtë arsye, Prokuroria ka vendosur të thërrasë për të marrë në pyetje anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave pranë Ministrisë së Brendshme, të cilët kanë përzgjedhur si fituese kompaninë “Marsi & AL” në lidhje me prodhimin e uniformës së Policisë.Policia e Shtetit reagoi 24 orë më parë duke thënë se në datën 2 shtator 2016 ka prishur kontratën me firmën fituese të tenderit për uniformën e Policisë, “Marsi&Al”. Policia deklaroi se analizat laboratorike kanë treguar se më shumë se 10 objekte të ndryshme, që i përkasin uniformës së Policisë së Shtetit, nuk janë në parametrat e kërkuara sipas specifikimeve teknike të tenderit dhe në përputhje me kontratën e firmosur.“Ndër materialet që nuk kanë qenë në përputhje me specifikimet e kontratës është objekti “Bluzë pambuku me 2 kopsa për Policinë Rrugore”, e cila është testuar në përdorim, nga ku ka rezultuar me humbje të ngjyrës (pjesa e verdhë) deri në 70% të saj”, ka thënë Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.
ma.me