Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, u shpall “Qytetare Nderi” e Bashkisë Klos në qarkun e Dibrës.
Këshilli Bashkiak i akordoi titullin ministres Kodheli me motivacion: “Për kontributin e saj dhe të institucionit që ajo drejton në ndihmë të komunitetit të 6 fshatrave të Bashkisë Klos, në ndërtimin e Urës së Pazarit dhe të rrugës Klos-Dars-Xibër”, bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes në një njoftim për shtyp.
Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në Bashkinë e Klosit, duke bërë të mundur ndërtimin e një ure “bailey” mbi lumin Mat në këtë bashki.
“Ndërtimi i kësaj ure ishte një domosdoshmëri për banorët e kësaj zone, pasi ura ekzistuese është ndërtuar rreth 36 vjet më parë, ishte në gjendje të amortizuar dhe shërbente vetëm për këmbësorë. FA kanë bërë të mundur ndërtimin në kohë rekord të urës, e cila ka një gjatësi prej 42 metrash dhe arrin të mbajë rreth 18 ton, duke bërë të mundur edhe kalimin e automjeteve të tonazhit të rëndë dhe të transportit publik, ku fëmijët e shkollave janë përfituesit më të mëdhenj”, thekson njoftimi.
Gjithashtu, Ministria e Mbrojtjes dhe FA bënë të mundur ndërtimin e rrugës “Klos-Dars-Xibër”, pastrimin e rrugëve nga inertet, si dhe pastrimin e tuneleve me municione që gjendeshin fare pranë qendrave të banuara në Klos.
Tunelet e FA-së në Klos, pas një shpërthimi në vitin 1997, u kontaminuan dhe u betonuan. 19 vjet pas shpërthimit, pjesëtarët e FA-së gjetën në këto mjedise lloje të ndryshme municionesh, si fishekë, granata dore mësymëse, predha topi blindëshpues, si dhe djegore të llojeve të ndryshme.
ma.me