Intervistoi Ben Andoni
Pak vite më parë, në vitin 2013, referendumi për Ligjin e Mbetjeve arriti të mbledhë për pak kohë plot 65.000 firma.
Ato ishin të mjaftueshme për Aleancën Kundër Importit të Plehrave, që e organizoi kërkesën për referendumin, për shfuqizimin e neneve përkatëse të ligjit të atëhershëm. Referendumi, që pati mbështetjen e qindra-mijëra të tjerëve, ishte llogaritur të zhvillohej në dhjetor të vitit 2013.
U konsiderua sukses mosmbajtja e tij, pasi qeveria Rama në vazhdë të premtimeve të saj, asokohe inicioi një ligj për shfuqizimin e të gjitha neneve që lejonin importin e mbetjeve.
Duke vazhduar propagandën e saj të atyre ditëve qeveria shprehej fjalë për fjalë se: importi i mbetjeve bie në kundërshtim me qëllimin e mbrojtjes së mjedisit dhe të shëndetit të njeriut dhe se ky import bie ndesh me përparësinë që duhet të ketë trajtimi i mbetjeve që prodhohen nga tregu shqiptar.
Ashtu si pritej, votimi i ligjit më 10 tetor të vitit 2013 ka bërë që referendumi të deklarohet i panevojshëm. Krejt papritur, këtë muaj (shtator 2016), me iniciativën e deputetëve të PS-së, Eduard Shalsi dhe Ervin Bushati dhe atij të LSI-së, Bujar Derveni, është kërkuar zhvillimi i mëtejshëm i kësaj industrie.
Sipas tyre, akti “rikthen të drejtën e importit të mbetjeve jo të rrezikshme në vend duke kthyer të drejtat që ka pasur Këshilli i Ministrave, si pjesë e rrjetit të integruar të mbetjeve”. Gjithashtu, ai, sipas tyre përcakton edhe autoritetin pranë të cilit depozitohet kërkesa për importin e mbetjeve, por nga ana tjetër edhe autoritetin që e lëshon këtë akt.
“Si pasojë e këtij parashikimi, bëhen edhe ndryshimet përkatëse në pjesën takuese të kundërvajtjeve administrative, me qëllim që mbetjet jo të rrezikshme të mos importohen pa u pajisur me dokumentacionin përkatës që specifikohet në këtë akt”, kanë referuar ata.
Nga drafti i dikurshëm i qeverisë Berisha janë prezantuar disa shtesa e ndryshime, që i përshtaten realiteteve të reja.
Në kushtet e një konfuzioni të madh të këtyre ditëve duket se Ligji ende nuk po jep reagimet e duhura, por Lavdosh Ferruni, ambientalist mendon se “I gjithë procesi është i dëmshëm, duke filluar që nga transporti i panevojshëm nga një vend tjetër drejt Shqipërisë, një transport voluminoz me emesionet e gjeneruara të rritura prej gazrave të kamionave.
Përpunimi (riciklimi) i mbetjeve krijon mbetje, që kthehen në rrezik pasi janë një përzierje e substancave që përmbajnë materialet e riciklueshme me detergjentët e fortë e të shumtë që kalojnë nëpër një e lumenj, duke mundësuar dhe dëmin e madh të ndotjes së ujërave nëntokësore e të ajrit në rastin e shkrirjes.
Dëm i madh mund ti shkaktohet mjedisit dhe shëndetit nga orientimi drejt mbetjeve të importit duke braktisur ato të vendit, e si pasojë edhe dëm social duke lënë pa punë të vetëpunësuarit në grumbullimin e mbetjeve, që janë rreth 30 mijë.”
Kurse i një mendimi tjetër është kreu i shoqatës së ricikluesve Vullnet Haka, i cili ka thënë dy ditë më parë për Oranews se: Importi i plehrave në Shqipëri është i ndaluar. Në vitin 2013 është miratuar ligji, i cili në mënyrë eksplicite ndalon importin e plehrave për qëllime depozitimi. Është mazhoranca e sotme që është shprehur në vitin 2013 se nuk jemi kundër importit ë mbetjeve të riciklueshme, por nuk kemi besim tek institucionet që mund ta kontrollojnë dhe mund ta monitorojnë….
Aktualisht situata është shumë e rëndë. Industria e riciklimit po shfrytëzon 28.6% të kapaciteteve të instaluara prodhuese. Kjo industri ka investuar rreth 234 milionë euro. kuptoni që këtu nuk mund të pajtohemi me atë që thonë pseudoambientalistë.
Duhet ta kuptoni që humbet ekonomia shqiptare, humbet eksporti. Kemi çuar në pikëpyetje të plotë ekzistencën e industrisë së riciklimit. Është drejt falimentit. Duhet të kemi një industri riciklimi më të fortë, në të kundërt do të shkojmë në kolaps”.
Paçka mendimeve të ndryshme, shoqatat e ambientalistëve pritet të fillojnë protestat e tyre, lidhur me këtë. “Reagimi ka filluar e do rritet dita-ditës nga grupime të ndryshme që janë solidarizuar me lëvizjen e iniciuar nga AKIP. Dhe reagimi nuk do ndalojë më datën 22 Shtator, pasi është 90% e popullsisë që e mbështet, sipas sondazheve serioze të kryera”, shprehet për JAVANEWS, z. Lavdosh Ferruni.
Çfarë përmban saktësisht projekt/ligji i mbetjeve që do kalojë në parlament?
“Projektligji rikthen importin e mbetjeve në Shqipëri, pas ndalimit me ligj që ju bë në vitin 2013 nga maxhoranca e sotme. Në versionin që pritet të kalohet më 22 Shtator në krahasim me versionin e kaluar në Korrik, për t’u përmendur është vetëm fakti se amendohet neni që lejonte importin e mbetjeve edhe për incenerim”.
A është kaq i padëmshëm i gjithë si proces, nga kjo që po prezantohet nga autoritetet e ndryshme?
“I gjithë procesi është i dëmshëm, duke filluar që nga transporti i panevojshëm nga një vend tjetër drejt Shqipërisë, një transport voluminoz me emesionet e gjeneruara të rritura prej gazrave të kamionave. Përpunimi (riciklimi) i mbetjeve krijon mbetje, që kthehen në rrezik pasi janë një përzierje e substancave që përmbajnë materialet e riciklueshme me detergjentët e fortë e të shumtë që kalojnë nëpër një e lumenj, duke mundësuar dhe dëmin e madh të ndotjes së ujërave nëntokësore e të ajrit në rastin e shkrirjes. Dëm i madh mund ti shkaktohet mjedisit dhe shëndetit nga orientimi drejt mbetjeve të importit duke braktisur ato të vendit, e si pasojë edhe dëm social duke lënë pa punë të vetëpunësuarit në grumbullimin e mbetjeve, që janë rreth 30 mijë.”
A mendoni se do të ketë reagim të Aleancës kundër plehrave dhe subjekteve të tjera për këtë hap të qeverisë?
“Reagimi ka filluar e do rritet dita-ditës nga grupime të ndryshme që janë solidarizuar me lëvizjen e iniciuar nga AKIP. Dhe reagimi nuk do ndalojë më datën 22 Shtator, pasi është 90% e popullsisë që e mbështet, sipas sondazheve serioze të kryera”.