LSI paraqet amendament në lidhjen me p/ligjin “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”. Ky amendament synon ti japë hapësirë shoqërisë civile në monitorimin në pikat doganore të caktuara për mbetjet që do të importohen. Sipas amendamentit “Organizatat e shoqërisë civile kanë të drejtën e monitorimit në pikat doganore të caktuara për kontrollin dhe zhdoganimin e mbetjeve. Ato paraqesin kërkesë me shkrim për pajisjen me autorizimin nga ministri përgjegjës për mjedisin, që lejon kryerjen e këtij monitorimi. Drejtuesit e pikave doganore kanë detyrimin e lejimit të kryerjes së monitorimit pa kufizim“. Sipas kreut të grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, qëllimi i ndryshimeve të propozuara në ligj, të cilat po shqyrtohen nga Parlamenti, është importimi i mbetjeve të ngurta jo të rrezikshme të listës së gjelbër si lëndë e parë dytësore, për të plotësuar nevojat e industrisë ricikluese të vendit, për qëllime riciklimi dhe përdorimi si zëvendësues të lëndëve të tjera nga burime jo të rinovueshme, që përdoren nga industria. Sipas tij, ndryshimet e propozuara janë shoqëruar nga një debat i gjerë publik ku mosbesimi është i forte dhe i dukshëm.
“Një klimë e tillë mosbesimi besoj se mund të gjente zgjidhjen e saj më të mire duke i mundësuar opinionit dhe veçanërisht shoqërisë civile si mënyra e organizimit të pavarur qytetar, që ajo të ishte aktive në procesin e monitorimit pasi është një fakt i njohur që debati për çështjen e importit të mbetjeve është debat që zhvillohet prej disa vitesh. Amendamenti që propozoj dhe që konsiston në shtimin e pikës 3, në ndryshimet e propozuara, i jep mundësi konkrete shoqërisë civile që të ketë rol aktiv në këtë proces, gjë që do të rrisë besimin në zbatimin korrekt të ligjit në praktikë, i cili është edhe qëllimi kryesor i të gjithë shoqërisë shqiptare për këtë çështje”, thekson Vasili.
Sipas tij, ky amendament që propozohet duke shtuar këtë pike 3 krijon dhe një raport të ri bashkëpunimi me shoqërinë civile, i cili shëndosh raportet mes parlamentit, ekzekutivit dhe opinionit publik nga ana tjetër, pasi vetëm transparenca, e cila është edhe thelbi i amendamentit të propozuar nga unë me shtimin e pikës 3, është kontributi më i mire për këtë raport, i cili duhet të priret gjithmonë nga konstruktiviteti që zgjidh problemet dhe përmirëson zbatimin praktik të legjislacionit.
Me. Ar