Ligji për kamerat e sigurisë, ose siç njihet në gjuhën parlamentare “Për masat shtesë të sigurisë publike”, pritet të miratohet më në fund këtë të enjte. Shqiptarja.com siguron draftin e dakordësuar PS-LSI pas 5 muajsh bllokim. Projektligji ishte i bllokuar për shkak të dekretit refuzues të Presidentit të Republikës si dhe të mos dakordësisë së LSI-së që prej prillit. Prej 5 muajsh ky projektligj nuk u votua në Kuvend dhe as dekreti i Presidentit nuk i rrëzua, sepse LSI kundërshtonte cenimin e privatësisë si dhe kostot që do të duhet të përballonte çdo subjekt privat i detyruar të vendosë kamera në ambiente ku grumbullohen më shumë se 50 njerëz.
Në këto kushte, kryeministri Rama ngarkoi Ministrin e Brendshëm dhe deputetin Piro Lutaj për të negociuar me Kreun e Komisionit të Sigurisë të LSI-së, Spartak Braho dhe deputetin Petrit Vasili për të dakordërduar draftin.
Shqiptarja.com ka siguruar draftin e dakordërsuar, të cilit i janë bërë ndërhyrje në 8 nene. Qysh në nenin 1, që është qëllimi i ligjit, është shtuar shprehja se synohet “zbulimi, parandalimi dhe goditja e çdo veprimtarie kriminale”. Neni 4 ka ndryshuar në pikën duke përbërë dhe ndryshimin themelor. Kategoritë e subjekteve, që detyrohen të marrin masa shtesë sigurie tashmë do të caktohen rast pas rasti, sipas analizës së vlerësimit të rriskut që do ta bëjë Policia e Shtetit. Ndryshe nga parashikimi i mëparshëm, nuk do të detyrohen të vendosin kamera subjektet që ushtrojnë aktivitet tregtar nga ora 23:00 deri 06:00 (që mund të jenë lokalet e natës) si dhe subjektet që kanë aktivitet ekonomik, xhiroja vjetore e së cilës është mbi 10 milionë lekë.
Ndryshimet e bëra në nenin 5 shtojnë për herë të parë parashikimin që të dhënat e grumbulluara nga këto kamera publike, të mos keqpërdoren. “Ministri përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike në bashkëpunim me Komisionerin për mbrojtjen e të dhënave personale, brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, përcaktojnë me udhëzim të përbashkët ngritjen dhe funksionimin e një regjistri si bazë të dhënash qendrore apo vendore në të cilin regjistrohen subjektet që sipas këtij ligji marrin masa shtesë të sigurisë publike. Policia e Shtetit identifikon të gjitha subjektet që disponojnë dhe administrojnë sisteme të sigurisë, si kamera për regjistrim të pamjeve filmike,CCTV me rezolucion të lartë, me rreze infra të kuqe dhe që ruajnë imazhet filmike në NRV/Server deri në 2 muaj apo përdorin pajisje elektronike të teknologjisë së lartë për identifikimin, në funksion të sigurisë (detektorë, ura kontrolli, reader, GPS etj.), me qëllim njoftimin dhe regjistrimin e tyre në regjistrin e të dhënave të ngritur sipas pikës 2 të këtij neni”,-thuhet në draftin e dakordësuar.
Ndryshimet e tjera janë të karakterit teknik. Sot këto ndryshime miratohen në Komisionin e Sigurisë. Ditën e nesërme do të rrëzohet dekreti i Presidentit të Republikës, dhe njëkohësisht do të votohet projektligji i ndryshuar, i cili po ashtu do të shkojë përsëri për dekretim tek Nishani.
Shqiptarja.com/d.i.