Pas cilësimit që Kryeministri i bëri PD-së (si “armiku” kryesor i policisë së shtetit) ka reaguar lideri i opozitës Lulzim Basha, i cili e ka akuzuar Ramën si përdhosësin e cdo punonjësi të policisë.
“Policia, burrat dhe gratë në uniformë që luftojnë krimin dhe dëshmorët e rënë në krye të detyrës, nuk kanë nevojë për fasada, për ceremoni, për shfaqje.
Burrat dhe gratë në uniformë, të rënët në detyrë, respektohen duke luftuar krimin, duke luftuar trafikantët, duke luftuar drogën.
Trupa e policisë dhe kujtimi i të rënëve, nëpërkëmben e përdhosen cdo ditë nga një ministër i lidhur me bandat e trafikut të drogës në vend, nga një ministër që makinën e tij private e kthen në narkotaksi për Habilajt, nga një ministër që mbajti Shullazin mbi ligjin per 3 vjet derisa ndërhynë partnerët, që negocion privatisht në zyrën e shtetit me vrasës me pagesë, nga një ministër që prish hetimet për trafikantët duke djegur provat në laborator e duke zbuluar hetimet në media per llogari te krimit.
Trupa e policisë dhe kujtimi i të rënëve, nëpërkëmben e përdhosen cdo ditë nga një kryeministër që futi në parlament trafikantë e tutorë prostitutash, vrasës e njerëz me precedentë penalë. Nga një kryeministër që fshehu urdhërin e ekstradimit për vrasësin e komisar Dritan Lamajt, që i ofroi atij arratinë, shpëtimin nga drejtësia. Nga një kryeministër që mban Eskobarin e Ballkanit, që pasi e ka bërë drejtor të transportit e mbron edhe nga aksioni ndërkombëtar për kapjen e tij. Një kryeministër që ka krijuar kartelin më të rrezikshëm të drogës në Europë që ndërton edhe pista avionësh për narkotrafikun.
Trupa e policisë dhe kujtimi i të rënëve nëpërkëmben e përdhosen cdo ditë nga Edi Rama që krimin e ka veshur me pushtet e pushtetin e ka veshur me krim.
Nderi dhe dinjiteti i policisë, respekti i të rënëve në krye të detyrës në luftë me krimin është sot në duart e shqiptarëve. Shqiptarët kanë në dorë të kthejnë rendin, sigurinë, respektin ndaj policisë, duke hequr krimin nga pushteti. Duke larguar me cdo kusht kartelin e drogës.
Policia më mirë pa Edi Ramën. #Shqipëria më mirë pa Edi Ramën.”- shkruan Basha./java/a.k