Keni bërë gabime në plotësimin e formularit për lotarinë amerikane, apo procedura juaj e bashkimit familjar ka mbetur në vend? Konsulli amerikan u është përgjigjur pyetjeve të qytetarëve shqiptarë duke treguar rrugën se si mund të zgjidhen ato. Të gjithë qytetarët shqiptarë që kanë fituar të drejtën e lotarisë amerikane dhe që kanë pyetje rreth saj, por edhe çështje të tjera me dëshirën për të jetuar në SHBA, kanë të drejtë të pyesin konsullin amerikan për problematika të caktuara. Çdo javë është i hapur edicioni “Pyesni Konsullin”, që është një përmbledhje pyetjesh dhe përgjigjesh të përzgjedhura dhe të përgatitura nga Seksioni Konsullor në lidhje me tema në interes për qytetarët shqiptarë, të cilët dëshirojnë të vizitojnë, apo të jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Zyra konsullore sqaron gjithashtu, se për shkak të natyrës publike të këtij forumi, nuk do t’u përgjigjet pyetjeve personale, as nuk do të diskutojë specifikat e rasteve individuale të vizave. Pyetjet që përmbajnë informacion privat apo ato identifikuese, do të fshihen për të mbrojtur privatësinë e aplikantëve.
J.B. – I kam hedhur dokumentet e burrit në mars 2015 për bashkim familjeje dhe në 16 maj të këtij viti më ka ardhur email-i që thotë se dokumentet janë të gjitha OK, por që duhet të pres për 60 ditë që të lajmërohem për datën e intervistës. Ndërkohë që kanë kaluar 4 muaj… Ne jemi në pritje vetëm për datën e intervistës. Sa do të zgjasë kjo pritje?
Konsulli – Me sa kuptoj, çështja juaj është me Qendrën Kombëtare të Vizave, dhe me shumë mundësi kategoria juaj do të jetë F2A. Ka pasur një ngrirje të kësaj kategorie dhe për tetorin do të rifillojnë të shqyrtohen.
A.S. – Përshëndetje, zoti konsull. Unë kam bërë dy gabime te DS-260, emrin e vendlindjes dhe emrin e shkollës së gjimnazit, dhe jam shumë e shqetësuar. Të lutem më thuaj çfarë mund të bëj dhe a mund t’i rregulloj këto gabime.
Konsulli – Mos u shqetësoni. Sapo të mësoni datën e intervistës, na shkruani. Sapo të na vijë çështja juaj në sistemin tonë, dhe ne do jua hapim DS-260 që ju ta korrigjoni.
A.S. – Faleminderit! Po për ta mbyllur përsëri DS-260, si mbyllet? Domethënë, si mund ta dërgoj përsëri, pasi kam frikë se mos mbetet e hapur?
Konsulli – Nëse ju keni shtypur “Submit”, formulari duhet të jetë mbyllur. Në fund ju gjenerohet një “confirmation page”. Ju mund të kontaktoni edhe KCC në KC***@st***.gov për të parë mundësinë e rihapjes së formularit.
L.K. – A mundet që prindi të aplikojë për bashkimin familjar me dy fëmijë njëkohësisht?
Konsulli – Sigurisht që po, për sa fëmijë të ketë.
E.F. – Kam motrën prej 6 vitesh në USA (akoma nuk është pajisur me pasaportë amerikane, d.m.th. është me green card). Doja t’ju pyesja: A ka mundësi motra ime të më tërheqë mua dhe bashkëshortin tim në USA? Nëse po, sa kohë zgjasin procedurat?
Konsulli – Aktualisht jo! Vetëm pasi të bëhet nënshtetase amerikane, ajo ka të drejtë t’ju bëjë peticion. Kohëzgjatja për kategorinë F-4 aktualisht është përafërsisht 12 vite, por kjo ndryshon çdo muaj.
LOTARIA AMERIKANE, TË PËRZGJEDHURIT E RINJ TË PLOTËSOJNË FORMULARIN PËR TAKIM
Informacioni rreth kontrollit të sta tusit të të regjistruarve për DV-2017 vazhdon që prej datës 3 maj 2015 deri më 30 shtator 2017, në faqen e internetit të Programit të Vizave të Shumëllojshmërisë http://dvlottery.state.gov/esc. Lajm i mirë për të gjithë të regjistruarit për Lotarinë DV-2017 është se janë shtuar të përzgjedhur të rinj për programin e Lotarisë DV-2017. Kontrolloni statusin tuaj për të parë nëse jeni përzgjedhur.
Hyni te faqja e Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve www.dvlottery.state.- gov duke përdorur numrin tuaj unik të konfirmimit. Të përzgjedhurit duhet të plotësojnë menjëherë formularin elektronik DS-260, në mënyrë që t’u caktohet një datë takimi në Konsullatën e SHBA-ve. Konsullatat kanë në dispozicion vetëm një numër të kufizuar datash takimi çdo muaj për aplikantët e lotarisë, ndaj është thelbësore që të përzgjedhurit e lotarisë të fillojnë procesin e vizës menjëherë.
Mbani mend: Departamenti i Shtetit nuk do u dërgojë të përzgjedhurve të lotarisë njoftim me postë apo me email. Edhe nëse ju vjen ndonjë email nga Departamenti i Shtetit, ai është vetëm për t’ju udhëzuar që të hyni te faqja e Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve www.dvlottery.- state.gov, ku do të gjeni udhëzime specifike për çështjen tuaj. Ndaj, nëse ju vjen një email duke ju kërkuar për gjëra që nuk jua kemi thënë më lart, injorojeni atë, është një mashtrim. Programi i lotarisë DV-2017 mbaron më 30 shtator 2017. Për më tepër, nëse të gjithë 50.000 numrat e vizave janë lëshuar përpara kësaj date, programi do mbyllet më shpejt.
Të përzgjedhurit duhet të veprojnë me shpejtësi që tani, pasi procesi i vizës mund të jetë i gjatë. Vizat për programin DV-2017 nuk mund të lëshohen pas 30 shtatorit 2017. U rekomandojmë të regjistruarve të kontrollojnë statusin e tyre të aplikimit nëpërmjet Kontrollit të Statusit të të Regjistruarve www.dvlottery.state.gov, duke përdorur numrin tuaj unik të konfirmimit që morët kur aplikuat fillimisht për lotarinë DV-2017.
BW/d.i.