Një i ri i shpallur në kërkim prej afro dhjetë ditësh pas shantazhit që i bëri një gruaje vlonjate me publikimin e fotove të saj intime, është vënë në pranga.
Alfred Sahitaj, 26 vjeç me banim në Tiranë, u arrestua ditën e djeshme nga policia e Vlorës, i akuzuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.
“Më jep para, ndryshe fotografitë e tua do të përfundojnë në Facebook”. Me këto fjalë një grua në Vlorë është shantazhuar nga Sahitaj, i cili e ka kërcënuar se nëse nuk i jepte shumën e parave që i kërkonte, do i publikonte disa fotografi intime në rrjetin social Facebook.
35- vjeçarja E.G., me banim në Vlorë bëri denoncim në polici, duke thënë se i riu e ka kanosur se do të postonte disa foto të saj në rrjetet sociale, nëse nuk i jepte një sasi lekësh.
26- vjeçari në rrethana që mbeten për t’u sqaruar, ka shtënë në dorë disa fotografi të së dëmtuarës, e cila i kishte realizuar në shtëpi dhe momente intime (jo përmbajtje seksuale). Duke pasur në dorë fotografitë, i riu ka tentuar të nxjerrë përfitim ekonomik, duke shantazhuar 36- vjeçaren dhe duke i kërkuar 150 euro.
Policia përjashton mundësinë e ndonjë lidhje intime mes gruas dhe të dyshuarit./noa/a.k