Përmes një deklarate për shtyp, Urdhri i Mjekëve të Shqipërisë ka reaguar në lidhje me arrestimin e dy mjekëve për ngjarjen e rëndë, ku një nënë shtatzënë humbi jetën së bashku me foshnjën e saj. UMSH shprehet se masa e ndalimit të mjekëve është e parakohshme, emocionale dhe ekstreme, në kushtet kur nuk është provuar apo argumentuar fajësia e tyre.
Sipas UMSH, e rëndësishme është të sqarohet nëse kemi të bëjmë me një situatë të neglizhencës së mjekeve apo për mangësi të organizimit dhe bashkërendimit institucional dhe ndërinstitucional që nevojitet në të tilla raste
Deklarata e plotë
“Kemi ndjekur me vëmendje rastin e rëndë të ndodhur në këtë maternitet. Para së gjithash ne shprehim dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet ndaj familjarëve për këtë humbje.
U.M.S.H nuk merr përsipër të japë para kohe përfundimet mbi rastin në fjalë, të shkaktuar nga një patologji e rëndë e rrallë dhe e vështirë.
Në pritje të konkluzioneve të sakta dhe shkencore, për të cilat po punohet dhe ne jemi seriozisht të interesuar për to, e shohim të domosdoshme të shprehim qëndrimin tonë, ashtu siç kemi vepruar edhe herë të tjera në të tilla raste.
Ne jemi kategorikisht kundër qendrimeve dhe masave të parakohshme, emocionale dhe ekstreme që çojnë në arrestimin e mjekëve pa u provuar dhe argumentuar fajësia e tyre, pa u sqaruar nëse kemi të bëjmë me mjekim të pakujdesshëm (neglizhencë), gabim mjekësor apo mangësi të organizimit dhe bashkërendimit institucional dhe ndërinstitucional që nevojitet në të tilla raste.
Masat ekstreme dhe të nxituara nuk kanë asnjë efekt dobiprurës në përmirësimin e shërbimit shëndetësor por përkundrazi thellojnë krizën e besimit të publikut ndaj bluzave të bardha dhe sistemit shëndetësor në tërësi.
U.M.SH. është i angazhuar në ndjekjen dhe analizimin profesional dhe shkencor, hap pas hapi të kësaj ngjarjeje dhe nxjerrjen e konkluzioneve të sakta në drejtimet”. /java/a.k