“Po plakemi dhe nuk po lindim më fëmijë”. Ky është konkluzioni i një studimi të fundit të organizmit “Dianeosis”, që publikohet nga gazeta greke “Kathimerini”, sipas të cilit Greqia do të jetë për disa dekada vendi i moshave të mesme dhe i pleqve.
Sipas hulumtimit, 1 në 3 vetë do të jenë mbi 65 vjeç në vitin 2050, e thënë ndryshe 33% nga 21% që është sot, ndërsa popullsia pritet të zvogëlohet me 800 mijë deri në 2.5 milionë vetë.
Vetëm në 5 vitet e fundit, popullsia në Greqi është zvogëluar me 300 mijë vetë, nga 11.1 mln në 10.8 mln, për shkak të lindjeve të pakta, vdekjeve dhe kryesisht emigracionit.
Kjo është hera e parë që nga viti 1951, që numri i banorëve në vend reduktohet me më shumë se 300 mijë vetë, duke treguar tendencën në rritje të këtij fenomeni në vitet e ardhshme, nëse do të vazhdojë kriza ekonomike, nuk do të krijohen vende të reja pune, e nuk do të ketë as rritje të mirëqenies.
Tepër shqetësues sipas studimit është gjithashtu fakti se popullsia reale e aftë për punë do të reduktohet deri në vitin 2050 me gati 1.7 milionë banorë./tch/a.k