Kryeministri aktual Nikolla Gruevski të mbetet në krye të Qeverisë deri në tetor të këtij viti, ndërsa në udhëheqjen e ministrive të kyçen mbikëqyrës me të drejtë veto-je në vendimet e ministrit. Ky është skenari më i përfolur si zgjidhje e mundshme më 29 qershor, në takimin final mes palëve. Sipas burimeve të ndryshme, ky skenar është shqyrtuar edhe në Bruksel dhe palët kanë përafruar qëndrimet, por nuk kanë gjetur marrëveshje përfundimtare. Mbeten ende për tu sqaruar detajet se kush do ta udhëhiqte Qeverinë pas tetorit dhe nëse mandati i Gruevskit do të pushonte me dorëheqje politike, ose me ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke sjellë dispozitë që do të detyronte krerët e partive politike të mos bartin funksionin e kryeministrit një kohë të caktuar përpara zgjedhjeve. Partitë politike nuk i komentojnë zyrtarisht këto spekulime, por kryetari i LSDM-së Zoran Zaev, pas takimit me ambasadorin italian Ernesto Beleli, ka theksuar edhe njëherë nevojën e largimit të Gruevskit 6 muaj përpara zgjedhjeve dhe krijimin e një mekanizmi për kontrollin e institucioneve të sistemit.
“Zaev e sqaroi nevojën për tërheqjen e Gruevskit 6 muaj përpara zgjedhjeve, bashkë me nevojën që qytetarët të kenë besim në procesin zgjedhor, pa shantazhe, kërcënime, blerje të votave, shfrytëzimin e resurseve institucionale dhe kadrovike nga pozita e fuqisë politike, në qëllime të grupit të ngushtë në pushtet”, thuhet në komunikatën e LSDM-së pas takimit me Belelin.
Nga ana tjetër, Brukseli nuk humb kohë për të filluar implementimin e marrëveshjes së 2 qershorit të arritur në Shkup. Këtyre ditëve eksperti belg, Piter Vanhojt po qëndron në Shkup në takime me përfaqësuesit e partive politike, për të shqyrtuar format e përmbushjes së paragrafit 4 të pikës së 6 të marrëveshjes së 2 qershorit. Ky paragraf parashikon që:
“Në mes të Qershorit dhe fundit të Gushtit 2015, BE do të lehtësoj dialogun ndërpartiak (i hapur për të gjitha partitë e përfaqësuara në Parlament) për të arritur një marrëveshje mbi çështjet e reformave strukturore. Kjo marrëveshje do të përfshinë edhe reformat që duhet të ndërmerren në fushat e Kapitujve 23 dhe 24, përfaqësim dhe funksionim i pavarur i organeve relevante shtetërore, liri më të madhe mediatike dhe përputhje të plotë me Opinionet dhe Rekomandimet e Komisionit të Venedikut”.
Në këto takime po shqyrtohen detajet teknike për përmbushjen e kësaj pike të marrëveshjes, nëse do të punohet me grupe pune, Komisione Anketuese ose të ngjashme. Sidoqoftë, marrëveshja do të jetë e kushtëzuar dhe përmbushja e saj do të varet nga rezultati përfundimtar i bisedimeve të 29 qershorit. Marrëveshja e 2 qershorit mes tjerash obligon partitë që të zbatojnë rekomandimet e Raportit kritik të Pribe-së, të shpërndarë ditë më parë nga Komisioni Evropian. Kryeministri Gruevski deri tani nuk e ka komentuar as përmbajtjen e Raportit, as rekomandimet që duhet të përmbushë pushteti.