Kryetarja e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë, Audry Glover prezantoi raportin paraprak për zgjedhjet vendore. Sipas Glover, procesi ka qenë relativisht pozitiv, por megjithatë nuk kanë munguar incidentet që kanë ndikuar sipas saj në besimin e qytetarëve.
Më tej ajo ka shtuar se disa afate ligjore nuk u respektuan dhe disa vendime të mara nga KQZ ishin në kundërshtim me ligjin.
“Në këto zgjedhje pati një zgjedhje të qartë mes kandidatëve dhe fushata ishte e qetë, duke regjistruar përmirësim krahasuar me më parë. Por mungesa e vullnetit politik nga partitë e mëdha për të zbatuar kuadrin ligjor minoi disi procesin. Disa KZAZ nuk kanë funksionuar në mënyrë efikase pasi nuk u janë dhënë materialet zgjedhore”, ka thënë Glover. Edhe për mediat kemi pakënaqësi, ka vijuar ajo, duke nënvizuar se, “ndikimi i partive të mëdha kufizoi lirinë e shprehjes”.
Duke ritheksuar se, në përgjithësi zgjedhjet kanë qenë pozitive, shefja e vëzhguesve ka vënë në dukje defekte si votimet në grup dhe gabimet proceduriale.
“Gjithashtu, lëvizjet e militantëve të partive kanë minuar besimin e procesit. ODIHR do të monitorojë pjesën e mbetur të tij”, ka thënë Glover.
Ajo ka shtuar se, raporti përfundimtar mbi zgjedhjet e 21 qershorit do të publikohet pas 2 muajsh, me rekomandime për çuarjen në drejtimin e duhur të zgjedhjeve.