Një grup deputetësh të Partisë Demokratike kanë mbërritur sot në grykëderdhjen e Ishmit, në vendin ku ngeci dy ditë më parë avioni tip “Piper”, i drejtuar nga italiani Guido Andrea Guidi.
Deputetët demokratë shprehen të bindur se italiani kishte mbërritur në Shqipëri me qëllim trafikimin e drogës, për llogari të personave të lidhur me pushtetin. Sipas deputetit Flamur Noka, pista e improvizuar në Ishëm, ku u ul avioni, nuk mund të ndërtohej pa ndihmën e qeverisë.
“Kjo qeveri kontrollon gjithë territorin e vendit. Kjo pistë që u ndërtua këtu demonstron qartësisht se gjithçka është bërë me ndihmën e kësaj qeverie. Pista të tilla janë mundur të ndërtohen vetëm në Kolumbi. Kartelet e drogës në Shqipëri e kanë gjithë mundësinë për të ndërtuar pista. Ky është realiteti”- deklaroi Noka në një komunikim telefonik në “News24”.
Ndërkohë avioni tip “Piper” ndodhet ende në vendin ku ngeci dy ditë më parë, ndërsa ruhet nga një patrullë policie.
Piloti italian Guido Andrea Guidi u lirua, por statusi i tij është ende i paqartë. Pavarësisht se ka pranuar qëllimin e vizitës së tij, që ishte njohja e terrenit për organizimin e trafikut të drogës, organet e drejtësisë nuk e kanë arrestuar 69-vjeçarin, në këmbim të dëshmisë dhe emrave të porositësve të drogës.
“Ideimi apo mendimi i një vepre penale nuk përbën shkak për arrestimin e një shtetasi”, thanë burimet nga Policia e Shtetit.
Nga ana tjetër, prokuroria po përpiqet t’i japë 69- vjeçarit statusin e të penduarit në mënyrë që ai të përfitojë mbrojtje juridike, por edhe që dëshmia e tij për “të fundosur” persona të tjerë, të merret parasysh nga gjykata. 69-vjeçari Guido Guidi, u ka treguar hetuesve emrat e shqiptarëve porositës të drogës në Milano dhe atyre në Shqipëri.