160 milion lekë po investohen nga qeveria shqiptare, përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, për rrugën që lidh banorët e fshatit Dragostunjë, bashkia Librazhd, me rrugën nacionale. Projekti i nisur në vjeshtën e vitit që shkoi përfundon brenda muajit tetor.
Ministrja e Zhvillimit Urban,Eglantina Gjermeni së bashku me kryebashkiakun Gurra dhe deputetin Taulant Balla, inspektoi punimet në rrugën që lidh banorët e fshatit Dragostunjë, bashkia Librazhd me rrugën nacionale.
Ky projekt është një tjetër investim i Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, në kuadër të Programit Rilindja Urbane me një vlerë 160 milionë lekë.
Rruga, rreth 5 kilometër e gjatë, është ndërtuar me standard dhe rregullat bashkëkohore në ndërtim, duke rritur aksesueshmërinë dhe lëvizjen e sigurt të banorëve që jetojnë në këtë zonë.
Ky investim, u shpreh Ministrja Gjermeni, i shërben të gjithë banorëve të fshatit Dragostunjë dhe është një tregues se Qeveria Shqiptare, nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, përveç investimeve në qendrat urbane, ka financuar realizimin e projekteve te infrastrukturës urbane edhe në zonat rurale.
Deputeti Balla, përgëzoi investimet e kryera nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, për periudhën 2014 – 2016. Të shtatë projektet e realizuara deri më tani në këtë bashki, i kanë dhënë një impuls të ri zhvillimit ekonomik dhe social të kësaj zone./a.m.