Zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015 kanë nxjerrë në pah disa risi krahasuar me ato të mëparshmet. Gjatë gjithë ditës së dielë pranë qendrave të votimit dhe në vendqendrimet e komisioneve zonale në 12 qarqet e vendit nuk pati prezencë të liderëve politikë, deputetëve, apo funksionarëve të administratës, një nga fenomenet mbisuenduese në proceset e kaluara zgjedhore, që kanë gjeneruar situata të tensionuara dhe konfliktuale mes simpatizantëve, që jo pak herë kanë përfunduar dhe në akte ekstreme dhune, ku janë përdorur dhe armët e zjarrit.
Thirrje për votim
Të dielën në procesin e votimit forcat policore kanë realizuar shërbimet e tyre në distancë nga vendet ku ishin instaluar kutitë e votimit dhe ato janë thirrur vetëm në një rast nga një komision lokal zgjedhor për ndihmë jashtë qendrës së votimit. Një tjetër risi ishte dhe mosaktivizimi i selive të partive kryesore politike me deklarata dhe kundërdeklarata. Përkundrazi gjatë kohës kur votohej nga politikanët dhe zëdhënësit partiakë në daljet e tyre publike dhe mediatike pati vetëm apele për pjesëmarrje masive në votime nga ana qytetarëve, ku u përsërit slogani: “Nëse nuk voton mos u anko!”
Megjithatë gjatë procesit të votimit ka pasur dhe raportime për mangësi teknike, parregullsi a incidente, si përshembull, hapja me vonesë e qendrave të votimit, vonesa në pajisjen me bazën materiale, printimi me gabime i fletëve të votimit për këshillat bashkiake në tre raste, mosmarrëveshjet mes komisionerëve për procedurat etj. Me ndërhyrjen e Komsionit Qendror të Zgjedhjeve dhe vetë Komisioneve Zonale Zgjedhore shumë prej këtyre problemeve janë zgjidhur me mirëkuptim mes komisionerëve, apo me vendimarrje për vijimin e procesit.
Përfaqësuesi i Dhomës Zgjedhore, Afrim Krasniqi, tha për Deutsche Welle-n, se nga një sondazh që ishte bërë nga aktivistët e kësaj strukture të pavarur monitorimi, në tre zona, në Tiranë, Paskuqan dhe Kashar, kishte pasur pjesëmarrje të ulët të numrit të grave në votime.
“Gjithashtu personave me aftësi të kufizuar nuk u ishin krijuar kushtet e nevojshme të parashikuara në ligj për ushtrimin lirisht të së drejtës së votës. Vumë re që në disa raste se komisionet nuk kishin marrë masa për zbatimin e kërkesave dhe të ligjit, që në 150 metra distancë larg qendrave të votimit të mos ketë materiale propagandistike”.
Diplomatët përendimorë në terren
Një risi tjetër për zgjedhjet e së dielës ka qenë vëmendja e shtuar e përfaqësuesve të ambasadave perëndimore. Pas deklaratave të përsëritura gjatë fushatës elektorale të diplomatëve kryesorë për pjesmarrje masive në votime, për mosshitjen e votës, për mosvotimin e kandidatëve të inkriminuar etj., ata iu bashkuan ekipit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it për monitorimin e votimeve të dielën. Shefja e delegacionit të BE-së, ambasadorët e Gjermanisë, SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Italisë, Suedisë, Holandës etj., asistuan në qendra të ndryshme votimi në disa qarqe, duke përfshirë dhe në ato që konsideroheshin si zona të nxehta. Diplomatët kanë mbajtur shënim, duke lënë të nënkuptohet se do të jenë prezentë dhe në procesin e numërimit të votave deri në nxjerrjen e rezultateve për kryetarët e bashkive dhe këshillat e tyre bashkiake. Konstatimet e tyre ata do t’i propozojnë në ekipin afatshkurtër dhe afatmesëm të OSBE/ODIHR-it, për t’u përfshirë në raportin paraprak dhe përfundimtar të këtij isntitucioni.
DW