Ish-kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, do të përballet me drejtësinë për krim të organizuar.
Ai, bashkë me 38 persona të tjerë janë akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës për përfitim të kundërligjshëm të pasurisë nga operatorë ekonomikë, shkruan Koha Ditore.
Prokuroria beson se Mustafa ka koordinuar veprimtarinë e këtij grupi rreth kurdisjes së aktiviteteve të prokurimit, përcaktimit të fituesit të tenderit, gjithmonë duke u dakorduar paraprakisht me pronarët apo përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë (bizneset) të cekur në aktakuzë. Kjo veprimtari është kryer gjatë periudhës 2008-2011.
Në njoftimin e dërguar të premten për medie, Prokuroria ka bërë të ditur se Mustafa dhe personat e tjerë akuzohen për tri vepra penale: krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës zyrtare, si dhe keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi. (b.an)