Ministria e Shëndetësisë ka reaguar lidhur me rastin tragjik të 35- vjeçares Aida Çajku, shtatzënë në muajin e nëntë, e cila ndërroi jetë sot në mëngjes në maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë, pas komplikacioneve të rënda shëndetësore.
Duke i shprehur ngushëllimet familjes dhe të afërmve për humbjen e njeriut të tyre të dashur dhe foshnjës së saj, Ministria e Shëndetësisë siguron se do të bëjë gjithçka është e mundur për të hedhur dritë mbi ngjarjen tragjike.
Për MSH është për të ardhur keq që Partia Demokratike gjen kurajë për të përdorur për përfitime politike të ditës dhimbjen e natyrshme njerëzore të shkaktuar nga ngjarja e rëndë e humbjes së jetës së një nëne dhe foshnjës së saj. Duke shtuar se MSH ka informuar opinionin publik për të gjithë ecurinë e ofrimit të shërbimit të kujdesit shëndetësor për pacienten prej momentit të paraqitjes në shërbimin e urgjencës së SUOGJ “Koço Gliozheni” dhe deri në momentin e konsultës së fundit të mjekëve specialistë.
“Ashtu siç kemi bërë me dije edhe më herët për opinionin publik, Ministria e Shëndetësisë ka vënë menjëherë në dispozicion të autoriteteve të drejtësisë të gjithë informacionin e nevojshëm, duke mundësuar nisjen e një procesi gjithëpërfshirës të hetimit dhe zbardhjes së ngjarjes.”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë raporton tch.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, bazuar në të gjitha faktet dhe informacionet e mbledhura, ngjarja nuk ka ndodhur as për mosprezencë të personelit mjekësor të shërbimit të urgjencës apo të qendrave universitare mjekësore në Tiranë, as për mungesë të infrastrukturës diagnostikuese, as për mungesë barnash apo materialesh mjekësore të nevojshme për trajtimin e pacientes në fjalë dhe as për mungesë të ofrimit të shërbimit të autoambulancës.