Koalicioni i tre partive kryesore shqiptare në Mal të Zi (Forca- UDSH-ASH) i është drejtuar me një letër publike udhëheqësve shtetërorë të Kosovës dhe Shqipërisë, me anë të së cilës kanë kërkuar që t’u bëhet thirrje aktorëve politikë shqiptar në Mal të Zi, që në zgjedhjet e ardhshme, të garojnë me një platformë të vetme politike.
Në letrën drejtuar liderëve dhe opinionit shqiptar, koalicioni i partive shqiptare në Mal të Zi ka kërkuar ndër të tjera që të lihen mënjanë ndasitë fetare dhe krahinore, dhe të garohet në zgjedhje me një listë të vetme e cila do të ketë qëllim interesin kombëtar.
Letra e hapur e Koalicionit të tre partive kryesore shqiptare të Malit të Zi (Forca – UDSH – ASH), i drejtohet Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani, Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, Ilir Meta, Kryetarit të Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli, Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.
Nëpërmjet kësaj letre të hapur i kërkohet liderëve të Shqipërisë e Kosovës dhe mbarë opinionit shqiptarë të ndihmojnë përmes ndikimit të tyre, duke ju bërë thirrje gjithë aktorëve politik shqiptar në Malin e Zi si dhe tek diaspora jonë, që të lënë mënjanë ndasitë krahinore apo fetare dhe në zgjedhjet e ardhshme të garojnë të gjithë të bashkuar me një platformë të vetme politike, në një listë të vetme zgjedhore, në një interes të vetëm kombëtar. /KosovaPress/a.m.