Në përmbyllje të vizitës zyrtare të Kryetarit të Kuvendit dhe delegacionit parlamentar shqiptar në Londër, Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë Arta Dade, si dhe anëtari i Komisionit deputeti Gerti Bogdani, shoqëruar prej Ambasadorit të ri të Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar zhvilluan këto ditë një sërë takimesh me përfaqësues të të dy dhomave të Parlamentit Britanik.
Gjatë takimeve me deputetët Daniel Kawczynski, anëtar i Komisionit të Çështjeve të Jashtme, Julian Lewis, Kryetar i Komisionit të Mbrojtjes, dhe Lord Boswell of Aynho, Kryetar i Komisionit të Dhomës së Lordëve për Bashkimin Evropian, Dade shprehu kënaqësinë e takimeve të zhvilluara këto ditë në Parlamentin Britanik, si një tregues i vullnetit për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërparlamentar mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar.
Dade theksoi se Mbretëria e Bashkuar është një partner i rëndësishëm historik i Shqipërisë, ndaj dy parlamentet duhet të punojnë më afër për t’a rritur cilësinë e marrëdhënieve dypalëshe.
Në këtë kontekst, Dade dhe Bogdani shprehën mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme britanike në avancimin e reformave kyçe në Shqipëri, veçanërisht në drejtim të forcimit të sundimit të ligjit, drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke vlerësuar njëkohësisht miratimin me konsensus të paketës kushtetuese për reformën në drejtësi gjatë muajit korrik.
Duke biseduar me Kryetarët e Komisioneve të Çështjeve të Jashtme dhe atij të Mbrojtjes Daniel Kawczynski dhe Julian Lewis, u nda bindja e përbashkët se Shqipëria luan një rol tepër konstruktiv në mbarëvajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin e Ballkanit dhe në këtë drejtim u vlerësua bashkëpunimi mes forcave të armatosura, duke sjellë në kujtesë stërvitjen e përbashkët “Albanian Lion 2016” që pritet të zhvillohet së shpejti në vendin tonë.
Përfaqësuesit parlamentarë të të dy vendeve, gjatë takimeve nënvizuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh në përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë, krimit të organizuar dhe terrorizmit.
Në përfundim, znj. Arta Dade theksoi se Komisioni i Politikës së Jashtme në Kuvendin e Shqipërisë është i gatshëm t’a thellojë bashkëpunimin e tij me të dy dhomat e Parlamentit Britanik, duke intensifikuar kontaktet dhe konsultimet për sfidat e përbashkëta të të dy vendeve./a.m.