Ministri i Brendshem Sajmir Tahiri, duke replikuar me PD në Kuvend, ka sjellë në vëmendje materialet informuese për parcelat e hashashit që nga 2008, për te cilat qeveria e ish kryeministrit Berisha nuk bëri asgje, por vetem i lejoi.
Ja deklarata e Tahirit:
“Pavarësisht se unë do të sugjeroja që, si hap të parë, të interesoheshe zyrtarisht për këtë fenomen. Ke instrumentet, fuqinë dhe mundësinë ligjore dhe institucionale. Të interesoheshe paraprakisht, përpara se të lexosh portale dhe analistë që (çuditërisht si ty, apo shumë të tjerë në këtë sallë) – i referohet Vangjel Dules-kanë filluar tani të flasin për këtë fenomen – jo për gjenezat e këtij problemi. Dhe përpara se të sillni këtu thashetheme analistësh që gajasen me portale të fryrë në listëpagesat e këtyre këtu apo shumë të tjerëve, interesohu zyrtarisht. Unë jam i hapur për çdo informacion. Ministria e Punëve të Brendshme është e hapur për çdo informacion.
Policia e Shtetit është tërësisht në dispozicion për çdo informacion. Dhe unë sinqerisht të falenderoj që ngrite një shqetësim këtu.Është shqetësim për mua që nga dita e parë e punës sime. Është shqetësim për këtë mazhorancë, për kolegët e mi, për Kryeministrin, që nga dita e parë e punës sonë. Jemi marrë me këtë çështje atëherë kur këtu askush nuk fliste. E kemi filluar punën atëherë kur këtu askush nuk fliste dhe nuk të kam dëgjuar të flasësh një fjalë kur Sali Berisha deklaronte publikisht se “kam pasur vendim politik për të mos ndërhyrë në Lazarat”.Nuk kam dëgjuar askënd në këtë Parlament të pipëtijë një herë të vetme (jo më të protestojë që as mendohet) kur Sali Berisha deklaroi publikisht këtë. Cili ishte “vendimi politik”? Ata grabitqarët që sot i marrin për fushata, ndërkohë që dje i mbanin për të mbjellë hashash në gjithë Lazaratin, ky ishte “vendimi politik”? Unë këtë e refuzoj. E kam refuzuar që ditën time të parë të punës. E nuk pajtohem kurrë.Unë nuk e kam replikë me ju, dhe shumë sinqerisht ju falenderoj për shqetësimin që ngritët. Por do preferoja që ky debat të mos shikonte kurrë me lupën politike. Debati i luftës sonë me kultivimin e kanabisit nuk mund të jetë kurrë një luftë politike mes nesh.
Duhet të jetë momenti kur bashkohemi për të luftuar këtë fenomen për të cilin çuditërisht, deri më sot, askush nuk ka folur.Nuk kanë qenë të pakta zërat se kanabisi gjasme edhe duhej të legalizohej – e këtu s’ka folur njeri. I keni shkelur syrin çdo lloj njeriu në çdo lloj fshati, për të mbledhur vota “Hë mo mbille, s’ka problem!”. Nuk janë të paktë ata këtu në këtë sallë kur jo më larg se 3 vite më parë ky vend ishte plot me Kanabis. Jo më larg se 3 vite më parë Guardia di Finanza i ka dorëzuar ish-Kryeministrit një raport zyrtar ku me fotografi dhe koordinata praktikisht deklarohej se ishin mbi 300 hektarë të mbjellë me Hashash. Dhe Policia në atë kohë – kur Kryeministër ishte zotëria (Sali Berisha), kur Ministër i Brendshëm ishte zotëria (Flamur Noka) dhe këta deputetë ishin pjesë e mazhorancës – shkatërronte vetëm 7%. Shtatë përqind!Vjet shifrat zyrtare të Guardia di Finanza deklaruan se është 8 herë më pak sipërfaqja e mbjellë dhe është shkatërruar 99.6%. Tani kush është “karteli i drogës” në këtë sallë? Ne që sot shkatërrojmë 99.6% apo këta që shkatërronin 7%. Kush e mbronte dhe kush e mbron? Ne që e shkatërrojmë apo këta që e linin.Ne sigurisht kemi një problem si vend që nuk ka lidhje me klasën politike. Kemi një problem me çështjen e kultivimit. Është një problem që shkon përtej Policisë.Unë besoj që ky është një problem që duhet adresuar, në nivelin më të lartë politik, më së pari në Parlament.Ky është një problem që nuk zgjidhet vetëm nga Policia. Policia sot rrezikon të shpenzojë të gjithë buxhetin e saj brenda shtatorit vetëm për shkak të aksioneve antikanabis në çdo cep të Shqipërisë.
Është një problem që duhet përballur. Ne vetëm sot po zbulojmë përmasat reale të këtij fenomeni. Ju nuk mund të vini në dyshim angazhimin tonë, se në qoftë se do ishim kaq rehat me kultivimin e kanabisit aty e linim Lazaratin. Vazhdonim punën që la “ai”, përgjysmë. As përgjysmë xhanëm, ai e përfundoi në perfeksionin e vet dhe e ktheu Lazaratin në kompaninë më të madhe fermere në Shqipëri me mbi 300 hektarë kanabis.Ne nuk e lamë. Ne i hymë një sfide që kurrkush më parë nuk i hyri.
Ju këtu deklaruat që shkatërruam Lazaratin për ta mbjellë në të gjithë Shqipërinë, për të ‘lazatarizuar’ gjithë Shqipërinë. Unë po ju lexoj qarqet dhe fshatrat ku Policia ka shkatërruar kanabis në vitin 2008.
Presidenti aktual i Republikës ka qenë ministër i Brendshëm. Komunikatat e Policisë ishin sekrete, nuk bëheshin të ditura për publikun. Qarku Berat, ku janë deputetët e Beratit të Partisë Demokratike, fshati Allmbrez, Cukalatë, Vojak, Vërtop, Tërpan, Krushovë, Leshnjë.
Qarku Durrës: Jub, Sukth, Shezë, Marsheq, Cudhi, Rrajcë. Ku janë deputetët e Durrësit? Nuk kishin sy në ballë në 2008-n.
Ju z. ish-Kryeministër nuk i dinit këto, policia ua sillte me komunikatë zyrtarë sekrete në tavolinë mëngjes për mëngjes, nuk i dinit?Ai tjetri që është sot president nuk i dinte?
Fier: fshati Fermë-Çlirim, Sheq i Madh, Libofshë, Rroskovec në vitin 2008.Korçë: Korçë qytet në vitin 2008 komunikatë e datës 18.06.2008, nr.170 faqja 3; komunikatë sekrete e Policisë e ke pasur në zyrë zotrote.
Fshati Osojë, Pogradec qytet, komunikata datë 12.08.2008, nr.225 faqja 3 e ke patur në tavolinën e zyrës atë mëngjes, ç’ke bërë kur e ke parë?Fshati Katund, Vithkuq, Podgorie.
Kukës: Ku i ke patur sytë zotëri ke qenë deputet? Curraj i Epërm, Kërnajë, Gjonpepaj, Lekbibaj, Curraj i Epërm prapë.Qarku Gjirokastër: Vangjel ku ke qenë në 2008-n, nuk e ke parë që ka qenë qarku Gjirokastër plot, përveç Lazaratit? Fshati Salanisht, Antigone, Harshovë, Luzat, Asim Zenel, Mickë, Peshtan, Lazarat, Kordhocë (është buzë rrugës), Shën Todhër, Mingul, Gjatë, Lunxhëri, Mashkullorë, Hormovë, Kalivaç, Dorëz, Kapariel, Libofsh, Nivicë, Salari. Vetëm në Gjirokastër, jashtë Lazaratit këto Vangjel.
Në Shkodër, Jozefinë… ku i ke pasur sytë? Pse nuk je çuar këtu ta denoncosh, pse s’ke shkuar të Kryeministri yt t’ia thuash? Bajza, Mazrek, Zona Kurt, Guri i Zi, Rrethina, Baltosh, Kastrat, Niq, Dacaj, Jahja-qerret, Koman, Postribë, Urë e Shenjtë, Vilëz, Vau Dejës, Vidhëz, Shllak, Barcollë, Temal, Toplanë, Kajvall, Bogë, Shkrel, Vukaj, Vridh, Duçaj, Maklaj, Rrepisht, Tamarë, Strebeq, Malagji, Bele, Karm. Këto janë të gjitha fshatrat e Shkodrës ku në 2008 kishte hashash të mbjellë dhe të shkatërruar nga policia. Por vetëm mbahej fshehtas.
Në Vlorë: Mallkeq, Rusan, Dushkarak, Kotë, Romës, Rexhepaj, Kamenicë, Manaj, Vazhdanisht, Gorisht, Sevaster, Dushkarak (prapë), Cerkovinë, fshati Vajzë, Mesaplik, Penkovë, GJorm, Romës, Luzat, Bistricë, Peshkëpi, Bashaj, Gërnec, Gropisht, Kotë, Nartë, Karbunarë, Plloç, Dukat fushë, Kaninë, Sevaster, Lagjja Tupal, Tërbaç, Vergo, Isak. Në Vlorë… i gjithë qarku plot, në 2008.Në Berat, në vitin 2009, plotë gjithë Shqipëria, qarku Berat, Dibër, Durrës, Fier, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër.Në 2009 ishte ministër i Brendshëm Lulzim Basha. Ka pasur dhe në Tiranë, në fshatin Kus, Kashar, Lundër, Farkë, Qesarakë, Yzberisht, fshatrat Kuç, Vorë, Badinak, Shijak, Kongresi i Manastirit dhe fshati Çele-bërzezë. Në Tiranë.
E kështu me radhë, viti 2010, në qarkun Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Kukës, Lezhë, Shkodër, Vlorë. Zotrote ke qenë ministër!Më 2013, Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, kur ke qenë ti ministër, Elbasan, Poroçan, Kodovjat, Kukur, Gramsh, Dragot. Komunikata, dt.14.07.2013, nr.196, 200, 228, 234, 237. Unë po të jap edhe komunikatat.Qarku Fier, qarku Gjirokastër, qarku Korçë, qarku Kukës, po në Kukës, Lekbibaj, Tropojë, Luma e Gashit, Cukallë, Bele, Curraj, Kukës. Pse nuk ke marrë masa, meqë je edhe deputet atje?! Lezhë, Shkodër e kështu me radhë në të gjithë Shqipërinë. Ku i kishit sytë ju? Që nuk jeni çuar një herë. Keni qenë në detyrë.
Ku i kishit sytë Asllan? Ke qenë me ne në atë kohë, ke qenë në opozitë me këtë qeveri. U ftillove për gjethen e hashashit kur dolëm këtej. Asllan, ku i kishe sytë? Ku i kishe sytë Jozefinë? Po ky tjetri këtu, ku i kishte sytë? Ku i kishit sytë ju për gjithë këtë hashash në Shqipëri? Juve, më e pakta, heshtnit! Më e pakta, heshtnit.Unë, me çdo kosto, nuk do hesht. Edhe me koston që ju të më drejtoni gishtin ditë për ditë, nga mëngjesi deri në darkë, unë do bëj detyrën, ta shkatërroj në çdo cep të Shqipërisë, sepse kjo është detyra ime përballë qytetarëve, jemi angazhuar për këtë punë, bashkë me kolegët me mazhorancë, bashkë me ministrat.
Nuk më besoni mua, nuk ka problem. Raporti i DASH viti 2013. Kryeministër Sali Berisha. Prodhimi vendas i marijuanës mbetet i lartë për të tretin vit me radhë: 2010, 2011, 2012 edhe pse nuk ka asnjë vlerësim zyrtar të totalit të kultivuar nga qeveria.Raporti i DASH viti 2014, kjo mazhorancë “rritje dramatike e sekuestrimit të lëndëve narkotike dhe arrestimeve. Kjo mund t’i atribuohet intensifikimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtar, veçanërisht partnerët rajonal, sidomos njësia e vëzhgimit të Policisë Italiane kombinuar me një angazhim më të madh nga lidershipi politik dhe autoriteteve ligj-zbatuese për t’u përballur me prodhimin dhe trafikimin e drogës, ç’ka çoi në një rritje të aksionit në rang kombëtar”. Raport publik i DASH. Merreni lexojeni. Plasini sytë. Mësojeni dhe pastaj ejani këtu të flisni.
Raporti i DASH i vitit 2015 “autoritetet shqiptare kanë shënuar një vazhdimësi mbresëlënëse arrestimesh dhe sekuestrimesh kundër prodhimit të drogës dhe rrjetit të trafikimit që veprojnë në vend duke vijuar prirjen e nisur në vitin 2014. Ky sukses mund t’i atribuohet bashkëpunimit të suksesshëm rajonal me Policinë italiane dhe një përkushtimi maksimal nga lidershipi politik dhe policor për të përcaktuar përparësi në luftën kundër drogës”.Këto janë raportet publike të DASH kur nuk më besoni mua. A ka dikë që besoni në këtë vend? A ka dikë në botë që mund ta besoni që po, ne jemi të angazhuar për të luftuar këtë fenomen.Unë nuk po them që nuk e kemi këtë problem.
Unë nuk po them që kemi një problem për të cilin duhet të ulemi dhe të flasim konkretisht, ta zgjidhim bashkërisht sepse kjo nuk është çështje e PS-së apo e PD-së, e të majtës apo të djathtës.Unë nuk fshihen mbas gishtit dhe të bëj sikur nuk kam baxhanak. Unë nuk jam nga ata. Unë fus kokën poshtë tavolinës dhe të bëj sikur ngatërroj emrin e baxhanakut kur dal në publik. Unë nuk fshihem pas gishtit dhe të lejoj tim bir, tonelata fishekë atje dhe të fshihem pastaj dhe të them “Jo, po nuk e dija që kisha baxhanak. Jo, po im bir sekser i ndershëm dhe nuk merret me këto punë”.
Unë nuk e bëj këtë. Ti e bëre, ndaj as nuk ke kurajë të çohesh e të flasësh këtu. Unë po ju them. Kemi një problem. Ne nuk fshihemi pas gishtit. Ka një problem në këtë vend që duhet ta zgjidhim. Ne sapo zbulojmë sipërfaqen reale dhe volumin real të këtij problemi në Shqipëri, të cilin e kemi të trashëguar prej kohësh.
ma.me