Një 68-vjeçar nga fshati Starje në Kolonjë ka ngacmuar seksualisht me fjalë një grua në fshat, duke shkaktuar një sherr mes dy familjeve. Mësohet se 68-vjeçari A.K, është kanosur dhe rrahur nga bashkëshorti i 48-vjeçares me iniciale I.M, e cila i ka rrëfyer për ngacmimet e të moshuarit. Në sherr është përfshirë edhe i biri i 68-vjeçarit, i cili ka goditur me grusht djalin 20-vjeçar të gruas që ngacmoi babai i tij.
Ndërkohë Policia e Kolonjës ka nisur procedim penal në gjendje të lirë ndaj 68-vjeçarit A.K, nën akuzën e “Ngacmimit seksual”.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Krimet, në Komisariatin e Policisë Kolonjë, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit : A.K, 68 vjeç, banues në fshatin Starje, Kolonjë (neni 108/a/1) Procedimi ndaj tij filloi pasi, dyshohet se ky shtetas, ka ngacmuar seksualisht me fjalë shtetasen V.M, 48 vjeçe, banuese në Starje. Më pas bashkëshorti i kësaj të fundit, shtetasi I.M, 48 vjeç, ka kanosur e goditur me sende të forta shtetasin A.K.
Në këtë ngjarje është përfshirë edhe djali i autorit të dyshuar, konkretisht shtetasi O.K , 33 vjeç, i cili ka goditur me grusht shtetasin E.M, 20 vjeç, djalin e shtetases V.M (neni 90)
Materialet në lidhje me këtë rast, i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale: “Ngacmimi seksual”; “Kanosja” dhe “Dëmtime të tjera me dashje” parashikuar nga nenet 108/a/1, 84 dhe 90 të Kodit Penal.
BW/d.i.