India njoftoi sot një ndihmë prej një miliard dollarësh për zhvillimin dhe rindërtimin e zonave të shkatërruara nga lufta në Afganistan.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi dhe presidenti afgan, Ashraf Ghani biseduan në Nju Delhi, ku u fokusuan në sigurinë rajonale dhe në luftën kundër terrorizmit.
Në një deklaratë të përbashkët pas bisedimeve u tha se ndihma do të përdoret në fusha të tilla si arsimi, shëndetësia, bujqësia, energjia dhe infrastruktura.
India është një nga donatorët kryesorë në Afganistan me një program ekzistues ndihme për zhvillim me vlerë dy miliardë dollarësh.
Të dy udhëheqësit denoncuan gjithashtu sponsorizimin e terrorizmit në rajon duke iu referuar Pakistanit.
Kabuli dhe Delhi kanë akuzuar në të kaluarën Pakistanin për mbështetjen e militantëve islamikë, të cilët kanë kryer sulme në territoret e tyre.
Të dy palët nënshkruan gjithashtu një marrëveshje që lejon ekstradimin e kriminelëve të kërkuar midis dy vendeve./a.m.