Ka nisur fushata e rekrutimeve për ushtarë/detarë aktiv në Forcat e Armatosura. Në këtë fazë do të rekrutohen 350 të reja dhe të rinj nga e gjithë Shqipëria, të cilët do të kenë mundësinë të jenë pjesë e strukturave të FA si dhe do të kenë edhe një punë të sigurtë.
Zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, i shoqëruar nga Komandanti i QPR-së (Qendrës së Personel Rekrutimit) Kolonel Leonard Çoku, ishin në qytetin e Lezhës dhe Shkodrës për të promovuar dhe sensibilizuar te pushteti vendor rëndësinë që ka rekrutimi i të rinjve të këtyre qarqeve në FA.
Zv. Ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi zhvilloi një takim pune në prefekturën e Shkodrës me përfaqëues të qarkut dhe kryetaren e bashkisë së Shkodrës, znj. Voltana Ademi.
Zv. Ministri i Mbrojtjes, zhvilloi një bashkëbisedim edhe me prefektin e Qarkut të Lezhës, z. Eduard Ndreca, duke evidentuar rëndësinë e kësaj fushate, përmes të cilës shumë të rinj dhe të reja do të kenë mundësinë dhe nderin të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura.
Në fjalën e tij, zëvendësministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, shprehu falenderimet për këtë angazhim të përgjegjshëm në procesin e promovimit të rekrutimeve nga Forcat e Armatosura dhe Ministria e Mbrojtjes.
Në vijim Koçi theksoi se: “Bashkëpunimi me pushtetin vendor është i rëndësishëm në suksesin e këtij aksioni promovimi dhe rekrutimi. Gjithashtu është i rëndësishëm bashkëpunimi me institucionet e arsimit, me ato të punës etj”.
Një element i rëndësishëm në këtë proces, vijoi më tej zëvendësministri Koçi, është ai i krijimit të një bashkëpunimi solid me komunitetin e të rinjve dhe të rejave që ka sidomos qarku i Lezhës, por dhe të Shkodrës. “Ne kemi një Batalion Këmbësorie në Vaun e Dejës, të cilin duam ta plotësojmë tashmë me djem dhe vajza të reja, djem dhe vajza që plotësojnë plotësisht kriteret e rekrutimit në FA të Republikës së Shqipërisë”.
Në fund të fjalës së tij, ministri Koçi nënvizoi se: “rekrutimi i të rinjve dhe të rejave në FA është një mundësi e mirë për t’u punësuar në një strukturë dinjitoze të shtetit. Në një strukturë, e cila vlerësohet edhe në sondazhet që kryen herë pas here, në sondazhet e besimit të publikut tek shteti, FA gjithmonë zënë vendin e pare”.
Nga ana e tij, prefekti i Qarkut të Lezhës, Eduard Ndreca u shpreh se kjo mundësi, duhet të konsiderohet e artë për të rinjtë e Qarkut të Lezhës. Më tej ai theksoi rolin e jashtëzakonshëm të FA, duke dhënë dhe një shembull konkret se si në muajin gusht në qarkun e Lezhës, Forcat e Armatosura na shërbyen me dinjitet që në Shëngjin dhe Orosh, që të mos kemi të lënduar në njerëz dhe as dëme në shtëpi.
Plani i rekrutimit për vitin 2016 është konceptuar të realizohet në dy faza në të gjithë territorin e shqipërisë. Faza e parë prill-maj 2016 dhe faza e dytë shtator-tetor 2016. Puna e QPR-së (Qendrës së Personel Rekrutimit) është fokusuar në kryerjen e fushatave të promovimit dhe informimit të grupeve të interest dhe individëve mbi mundësinë që ofrojnë FA për një karrierë të sigurtë dhe një mundësi reale për të rejat dhe të rinjtë që dëshirojnë të jenë pjesë e saj.