Për shefin e Financave greke, fatin e Eurozonës do t’i mbetet Angela Merkelit ta përcaktojë. Janis Varoufakis shkruan në një artikull të botuar nga “Frankfurter Allgemeine” se, shpëtimi i Greqisë nga falimenti do të jetë përgjegjësi e Kancelares gjermane, si udhëheqëse e ekonomisë më të madhe të Europës.
“Të hënën, kur udhëheqësit e Bashkimit Europian të mblidhen në Bruksel për samitin e jashtëzakonshëm, Kancelarja do të përballet me një zgjedhje të vështirë. Të hyjë në një marrëveshje të ndershme me qeverinë, që kundërshton ‘dorëzanitë’ e që kërkon zgjidhje të negociuar për mbylljen një herë e mirë të krizës greke, ose t’i vërë veshin këmbanave brenda qeverisë federale gjermane, të cilat e inkurajojnë të hedhë tutje të vetmin ekzekutiv grek të mbështetur në parime demokratike, e që mund ta drejtojë popullin grek në rrugën e reformave të vërteta. Kam frikë se zgjedhja është e gjitha e saj”, tha Varoufakis.
Varoufakis përmend njëkohësisht edhe perspektiven e lëshimeve të reja nga Athina, që synojnë të bindin kreditorët e Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar se, qeveria e majtë greke është serioze në vullnetin e saj për të zgjidhur ngërçin e borxhit masiv publik të vendit.