Komisioni i Posaçëm Parlamentar për reformën në Drejtësi zhvilloi sot një mbledhje të shkurtër, por konstruktive mes palëve politike, ashtu siç e quajti deputeti socialist Pandeli Majko.
Majko tha se brenda javës do të mbyllet paketa ligjore për reformën në drejtësi.
“Ajo që është e rëndësishme është që javën që vjen e mbyllim historinë e paketës ligjore. Kemi diskutuar, kemi mbledhur opinionet e ndërkombëtarëve, po presim edhe opozitën të japë mendimin e fundit dhe javën tjetër e mbyllim. Nesër do të mblidhem sërish në orën nëntë, do të vazhdojmë të premte të punojmë dhe do ruajmë intensitetin që t’i japim fund paketës ligjore.
Ndërsa demokrati Oerd Bylykbshi tha se sot komisioni diskutoi kalendarin për 6 ligjet.
“Ne si opozitë, me qëllim që të jetë një diskutim i shëndetshëm, real, jo i sforcuar, jo i nxituar deri më sot i këtyre 6 ligjeve thelbësore të bëhet me dy faza. Pra deri në datën 22 u ra dakord që të shqyrtohen ligjet kryesore sic janë ligji për SPAK dhe Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, pra për këtë strukturë, ligji për organet e sistemit të drejtësisë dhe jemi të gatshëm që në datën 22 të jetë gati ligji për gjykatën kushtetuese. Do shohim nëse është e mundur edhe ligji për Prokurorinë brenda kësaj date. Por qëllimi që u ra dakord që diskutimi të jetë i shëndetshëm dhe jo i nxituar. Fati i Vettingut varet nga sa mazhoranca është e gatshme të mos shkelë kushtetutën.
Për nënkryetarin e LSI-së Petrit Vasili është e rëndësishme që komisioni u mblodh dhe u zotërua nga një klimë mirëkuptimi. “
U dakordësuam që do të ecim me paketën me 6 ligje. U dakordësuam që i japim kohë më shumë kohë njëri-tjetrin për të përmbyllur procesin brenda datës 29, pasi janë 6 ligje që shqyrtimi do të fillojë që nesër. Në këtë mënyrë i hapet mundësia për të bërë një diskutim të frytshëm të brendshëm. U diskutua për të përmirësuar çdo gjë që është e nevojshme por edhe për të ecur me mirëkuptim me opozitën. Kjo ka qenë një nga mbledhjet me konstruktive dhe shpresoj që ky konstruktivitet të vazhdojë”, tha Vasili./express/a.k