Pas rrëzimit të projektligjit për kamerat e sigurisë nga Presidenti Nishani, ministri i Brendshëm Saimir Tahiri zhvilloi sot në Kuvend, një takim me kreun e grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, kreun e e Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho dhe deputetin e PS, Piro Lutaj.
Pas takimit, Tahiri në një deklaratë për mediat, u shpreh i bindur se pavarësisht konstatimeve të deputeteve për ligjin në fjalë do të gjendet gjuha e përbashkët për miratimi e tij, që sipas ministrit, është masë që dekurajon ngjarjet kriminale.
“Nuk mund të lejohet një bankë që bën xhiro milionë euro, që të ketë kamera sigurie ku nuk dallon dot që personat që hyjnë janë burra apo gra. Ky ligj shtron bazat për masat që dekurajojnë ngjarjet kriminale. E kuptoj shqetësim e çdo deputeti, jam i gatshëm t’i marr parasysh, do bëjmë gjithçka për të garantuar qytetarët dhe jam i bindur se do gjejmë gjuhën për të miratuar projektligjin për kamerat e sigurisë”- tha ai.
Maxhoranca është përçarë dje në Komisionin e Sigurisë gjatë shqyrtimit të dekretit të Presidentit Bujar Nishani, i cili ktheu për rishikim në Kuvend projektligjin “Për masat shtesë të sigurisë publike”, ose siç u njoh ndryshe: ligji i kamerave të sigurisë.
Katër deputetët e LSI-së, Spartak Braho, Luan Rama, Shkëlqim Selami dhe Ylli Shehu kanë abstenuar duke lënë në baltë socialistët. Por, nëse LSI dhe PD do të kishin votuar kundër rrëzimit, atëherë socialistët nuk do të kishin mundur të kalonin në seancë dekretin e Presidentit.
Panorama/d.i.