Partia Demokratike ka vijuar sot akuzat ndaj ASHE për blerje të votave në Dibër. Deputetja Jorida Tabaku tha se me kryeministrin Rama në qeveri, “është e pamundur që të mbahen zgjedhje të lira e të ndershme”.
Tabaku tha se në media janë publikuar të tjera momente që tregojnë sipas saj për blerjen e votës së qytetarëve.
“Shqipëria nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën. Nuk mund të ketë zgjedhje me një kryeministër që i shndërron shqiptarët në të varfër për t’ua blerë varfërinë, për t’ua blerë dinjitetin, me para në këmbim të votës. Çdo qytetar në mbarë vendin e di sot se ai i bleu masivisht votat. 11 shtatori tregoi se vendi nuk mund të ketë zgjedhje të lira kur në qeveri është Edi Rama”, tha Tabaku.
Deputetja demokrate u shpreh se PD do të bëjë një analizë të plotë pas procesit zgjedhor në Dibër, por theksoi se të gjithë qytetarët do të reagojnë duhet të reagojnë kundër fenomenit të blerjes së votës.
DEKLARATA E PLOTE
Prova të reja, të publikuara mbrëmë në emisionin Stop, dëshmojnë edhe një herë se si rrjeti i organizuar i blerjes së votës, ishte instaluar në çdo qendër votimi në Dibër.
Edi Rama e ktheu Dibrën në një treg të zi, kriminal të blerjes së votës, duke hapur zyra e sportele të këmbimit të vullnetit të lirë me para e me euro.
Rastet që po nxjerr media çdo ditë provojnë se në Dibër funksionoi një skemë e mirëorganizuar, e blerjes së votës. Duke nisur nga drejtuesit politikë të fushatës në bashkëpunim me figurat e njohura të krimit të organizuar, drejtorë të administratës qendrore dhe lokale, shefa policie, administratorë, kryepleq dhe zyrtarë publikë, të cilat PD i ka kallëzuar më 1 shtator.
Ky grup i strukturuar kriminal ka shpërndare milionat që duheshin, ka caktuar njerëzit që do të kryenin operacionin, duke llogaritur e paracaktuar blerjen e votave sipas çdo qendre votimi.
Si vrasës gjakftohtë ata e dinin sa vota kishin në kuti, mbi bazën e parave që kishin hedhur për çdo kuti.
Kjo është skema pra se si karteli i drogës i Edi Ramës kapi bashkinë e Dibrës.
Në Dibër nuk pati zgjedhje.
Dibra u kthye në një thertore të madhe të mbytjes së votës së lirë.
Unë jam e sigurt që PD do të shohë edhe nga vetja e do të bëjë analizë të plotë, por Edi Rama tregoi edhe një herë se ai është armiku i votës së lirë.
Shqipëria nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën.
Nuk mund të ketë zgjedhje me një kryeministër që i shndërron shqiptarët në të varfër për t’ua blerë varfërinë, për t’ua blerë dinjitetin, me para në këmbim të votës.
Çdo qytetar në mbarë vendin e di sot se ai i bleu masivisht votat.
11 shtatori tregoi se vendi nuk mund të ketë zgjedhje të lira kur në qeveri është Edi Rama.
Dibra dëshmoi se nuk mund të kemi një demokraci kur kryeministër i vendit është Edi Rama.
E vetmja mënyrë për të shpëtuar nga korruptimi i mëtejshëm, vjedhja edhe abuzimi me lirinë e votës është reagimi i gjithë shqiptarëve për të larguar nga drejtimi ato që e varfërojnë këtë vend për ta blerë më lirë. Vetëm reagimi i shqiptarëve, mundet të risjellë edhe një herë shpresën që përditë po zhduket nga një bandë e cila nuk beson në zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Të bashkohemi të gjithë për t’i bërë ballë kryeministrit Rama i cili përmes pushtetit dhe lidhjeve të tij me krimin jo vetëm vjedh të tashmen por edhe të ardhmen e gjithësecilit!