Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa ka marrë pjesë në nisjen e vitit të ri shkollor në shkollën “1 Maji” ka thënë se deri në fund të mandatit të tij si kryebashkiak asnjë shkollë nuk do të ketë më mësim me dy turne.
Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, Veliaj ka thënë se ekspertët e bashkisë kanë punuar në 200 shkolla të Tiranës, në mënyrë që nxënësit të kenë kushte më të mira për një proces mësimor-edukativ më të suksesshëm.
Por, Veliaj ka shtuar se me punën e mirë që është bërë në këtë drejtim, tashmë janë stafet pedagogjike dhe nxënësit ata që duhet të mirëmbajnë këto ambiente.
“Faleminderit kolegëve të bashkisë që kanë punuar gjatë gjithë kohës. Kemi pasur edhe vullnetarë që kanë ndihmuar fëmijët sot. Javët e ditët e para janë një kohë kur shtohen lëvizjet, por sot sheshi “Skënderbej” nuk u bllokua, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithëve. Është punuar në 200 shkolla, e mira nuk ka fund, por ne do vijojmë punën. Sistemuam shkollat, shtuam terrenet sportive, kemi hapur themele për shkolla të reja. Në koordinim me Drejtorinë Arsimore Rajonale kemi 2 ose 3 gjimnaze me dy turne, 20 gjimnaze janë vetëm me një turn. Shkolla në Kombinat sa i janë hedhur themelet, “Hoxha Tahsim” përfundon gjysma e themeleve, ndërkohë po punohet në 16 shkolla. Në fund të mandatit do të heqim mësimin me dy turne. Me vepra kemi treguar se kështu ecet përpara. Duhet të mirëmbajmë të gjitha godinat arsimore stafet pedagogjike dhe vetë nxënësit”, tha Veliaj.
D.i.