Pas shumë vjetësh përpjekje, ka filluar të marrë rrugë plani i kompanisë Envidity që të realizojë planin e saj për investime shumëmilionëshe.
Kjo kompani ka mbetur me vite të tëra në pritje për të marrë një përgjigje nga institucionet e vendit në lidhje me prodhimin e naftës sintetike dhe të disa gazrave të tjera, duke shfrytëzuar qymyrin, raporton KTV.
Pasi e njëjta u largua, zyrtarë të qeverisë së tanishme me muaj të tërë kishin bërë përpjekje që ta bindnin të kthehej për ta realizuar projektin.
Në mbledhjen e 25 gushtit të qeverisë është miratuar vendimi i Komitetit për Partneritet Publiko Privat për t’ia lëshuar licencën kompanisë në fjalë, si dhe të formohet të formohet një komision që do të merret më finalizimin e marrëveshjes, por vetëm pasi Kuvendi i Kosovës ta miratojë vendimin në fjalë.
Kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa ku është dashur të diskutohet vendimi i qeverisë, por që u shty në mungesë kuorumi nuk ka dashur të flasë për një proces të tillë pa dalë me qëndrime përfundimtare ky komision, në javën e ardhshme.
Në Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale kanë bërë të ditur se kompania ka dorëzuar 3 aplikacione më 2013 për hulumtim në 1/3-n e territorit të vendit, por të njëjtat janë anuluar në mungesë dokumentesh.
Kryetari i këtij komisioni, Ramiz Krasniqi ka thënë se ligji për miniera dhe minerale i jep të drejtën për licencë, por se nuk parashikon përpunimin e xehes pa pasur një leje nga qeveria.
Mirëpo, realizimi i këtij investimi ka ndarë në gjysmë opinionin.Shoqëria civile kundërshton një vendim të tillë duke thënë se kjo do të dëmtonte në masë të madhe ambientin dhe tokën e punueshme.
Ndërkaq, përfaqësues të bizneseve thonë se shfrytëzimi i resurseve të mëdha që ka Kosova do të ndikojë shumë në zhvillim dhe punësim.
Kohavision ka kërkuar detaje të kësaj marrëveshjeje nga Komiteti i Partneritet Publiko Privat që funksionon në kuadër të Ministrisë së Financave, por se të njëjtit nuk i janë përgjigjur kërkesës.
Envidity, pjesë e së cilës është edhe gjenerali amerikan Wesley Clark, nga viti 2012 kishte bërë kërkesë për të marrë licencën për shfrytëzim të qymyrit në fillim në fushën e Dukagjinit.
Në letrën që në atë kohë ia kishte dërguar Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, drejtuesit e kësaj kompanie kishin thënë se planet e saj janë që kapaciteti i prodhimit të këtij produkti të arrijë deri në 2 milionë litra brenda një dite.
Me anë të këtyre investimeve nuk do të rrezikohej fare termocentrali Kosova e Re nga furnizimi me qymyr. (b.an)