Tenderi ndërkombëtar për segmentin hekurudhor Tiranë – Durrës – Rinas parashikohet të hapet gjatë muajit tetor. Burime pranë ekspertëve që po punojnë për këtë projekt, bëjnë të ditur se në fund të shtatorit do të mbahet një dëgjesë publike.
Për herë të parë, hekurudha shqiptare ka një projekt ndërtimi dhe rikonstruksioni siç është ajo Tiranë – Durrës – Rinas, kostoja e të cilës llogaritet në rreth 81.5 milionë euro nga të cilat 44% ose 35.4 milionë euro do të akordohen nga BERZH dhe pjesa tjetër, kredi që do të paguhet nga qeveria shqiptare.
Projekti do të konsistojë në rikonstruksionin e segmentit ekzistues mes Tiranës dhe Durrësit, si dhe me ndërtimin e ri të pjesës që do të lidhet me Rinasin. Ky segment ka një gjatësi prej 50 km, ndërsa kostoja llogaritet në rreth 50 milionë euro.
Sudimi i fizibilitetit ka treguar se ndërtimi i segmentit Tiranë – Durrës – Rinas do të zgjasë mbi 3 vjet. Parashikohet që të transportohen në vit rreth 1.4 milionë pasagjerë. Kjo nisur edhe nga fakti që në zonën industriale Tiranë – Durrës realizohet edhe pjesa më e madhe e aktivitetit ekonomik.
Gjithashtu parashikohet që gjatë fazës së ndërtimit, të angazhohen rreth 1,375 punonjës direkt dhe indirekt, ndërsa gjatë fazës së operimit, numri do të arrijë në rreth 2,200 punonjës.
Një tjetër përfitim ka të bëjë me reduktimin e kostove për Hekurudhën Shqiptare, që llogaritet në rreth 60 milionë euro, nisur nga niveli i amortizimit që kjo linjë paraqet sot.
Gjithashtu është përllogaritur vlera e kursimit nga qytetarët, që do të jenë në nivel 55 milionë euro në vit.
Ndihmesë (që nuk është përfshirë në këtë studim) do të ofrojë edhe sa i përket sigurisë, duke qenë se njerëzit do të tentojnë të qarkullojnë më shumë përmes kësaj linje.
Nga ana tjetër, do të ulet frekuentimi i autostradës rrugore Tiranë – Durrës, ku sot qarkullojnë rreth 20,000 mjete në ditë, gjë e cila do të shoqërohet me reduktim të kostove të mirëmbajtjes.
Por, projekte të tilla të rëndësishme që do të zbatojnë një teknologji moderne do të kërkojnë menaxhim dhe mirëmbajtje.
Në lojë, në këtë rast, do të futet edhe sektori privat, përmes Partneritetit Publik Privat. Kësaj do t’i shërbejë edhe Kodi i ri Hekurudhor që po diskutohet në Kuvend.
Monitor/d.i.