Deputetja demokrate Jorida Tabaku nuk përjashton mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Socialiste për Integrim, por jo para zgjedhjeve parlamentare.
Në një intervistë për revistën “Mapo”, Tabaku thekson se një koalicion me LSI-në mund të diskutohet vetëm nëse qytetarët me votat e tyre vendosin balanca të atilla që kërkojnë këtë zgjidhje.
Ajo thotë se, “nëse vota e qytetarëve vendos një ekuilibër politik atëherë do të jenë forumet e partisë që do të vendosin se si do të zbatohet parimi i lashtë “Politika është arti i të mundurës”.
E pyetur për një marrëveshje të mundshme PD-LSI për të rrëzuar Ramën dhe për të krijuar një qeveri teknike, ajo përgjigjet:
“Partia Demokratike nuk ka pasur marrëveshje me LSI për të rrëzuar qeverinë, për këtë arsye nuk ka asnjë arsye se përse të ndihet e zhgënjyer.
Së dyti, LSI u fut në diskutimin e Reformës në Drejtësi si pasojë e interesit të saj politik, dhe në këndvështrimin tim kjo është një lëvizje e pastër politike.
Kryetari i Parlamentit kërkoi me të drejtë dakordësinë e një spektri të gjerë politik, duke qenë se asnjë kushtetutë nuk mund të aprovohet apo ndryshohet me vullnet të përçudnuar. Por mbi të gjitha, pa harruar faktorin e rëndësishëm se z. Meta dhe z. Rama ndonëse janë aleatë kanë shumë pak besim te njëri-tjetri dhe për këtë nuk ka nevojë për shumë prova.
Së treti, PD ka nisur lëvizjen për krijimin e një qeverie teknike që në dhjetor të vitit 2015 kur u vu re se qeveria po përdorte gjithë ingranazhin e saj për të ndikuar jo vetëm në krijimin e një reforme në gjyqësor në shërbim të kryeministrit Rama. Por gjithashtu edhe në shndërrimin e Shqipërisë në një parcelë të madhe droge, me paratë e së cilës pasurohen pushtetarë dhe vitin tjetër do të blihen qytetarë si komisionerë apo si votues.
Nëse LSI, ndan këtë shqetësim që është përforcuar edhe nga një raport që SHISH ia ka çuar Prokurorisë (siç raportojnë mediat) atëherë ajo është e mirëpritur në këtë lëvizje. Por të pretendohet se PD është zhgënjyer sepse aleati dhe njëkohësisht bashkëpërgjegjësi për sa e sa bëma të qeverisë Rama nuk rrëzoi qeverinë është tërësisht e pavend dhe e pasaktë”.