Fillimi i kompletimit të Task Forcës hetuese të BE-së për Kosovën, Gjykatës Speciale, si dhe emërimi i kreut të kësaj force javën e kaluar, ka sjellë edhe paralajmërimin për mundësinë e ngritjes së aktakuzave të para për të dyshuarit potencialë gjatë këtij viti.
Njohësit e fushës së sundimit të ligjit, ekspertët e drejtësisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, krijimin e kësaj situate të re e shohin edhe si një rrezik për tronditje serioze të skenës politike, për faktin se ka paralajmërime që nga aktakuzat e Gjykatës Speciale, kësaj radhe nuk do të shpëtojnë “peshqit e mëdhenj” të politikës.
Kapja e “peshqve të mëdhenj” po shihet si argumenti më i fuqishëm, i cili krijon terren edhe për hapje të rrugës për integrime evropiane për Kosovën.
Ndryshe, pa u futur në burg njerëzit e fortë të politikës dhe të biznesit oligarkik, të cilët po e mbajnë këtë vend peng, dera drejt Evropës mbetet e mbyllur. Ky kusht tepër i rëndësishëm iu bë i qartë të enjten edhe Shqipërisë nga BE-ja, prandaj e njëjta gjë vlen edhe për Kosovën.
Ata që iu fshehën drejtësisë, nuk mund ta shpëtojnë lëkurën
Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Adlum Ramadani thotë se emërimi i kreut të Task Forcës Speciale Hetuese të BE-së në kryeprokuror të Gjykatës Speciale tashmë i ka hapur shtigjet e fillimit të procesit për ngritjen e aktakuzave të para ndaj ish- të dyshuarve nga radhët e UÇK-së.
Pohimin nga ana e tij, se aktakuzat e para do të vijnë më së largu deri në fund të vitit e konsideron si tendencë për t’ua bërë të qartë personave në fjalë se drejtësia është në prag të derës dhe se është çasti fundit i tyre për t’u distancuar nga raportet dhe pozitat politike që ata ushtrojnë në institucionet publike.
“Vizita e tij në rajon do të ketë mesazh të qartë për ata të cilët për vite me radhë u fshehën nga drejtësia me pozita shtetërore, duke shfrytëzuar imunitetin politik karshi ndjekjes penale nga ana e organeve të drejtësisë.
Pohimet se Gjykata në fjalë do të ballafaqohet me probleme të shumta janë thjesht tentativë për të shpërqendruar vëmendjen e publikut nga ngjarjet aktuale politike, pasi e njëjta tashmë ka të ndarë buxhetin e saj, selinë dhe prokurorët/gjykatësit ndërkombëtarë që do të mundësojnë kushte të favorshme për gjykim të drejtë dhe të pandikuar nga aktorë politikë vendorë”, nënvizoi Ramadani për “Kosova Sot”…(b.an)