Me hyrjen në fuqi të kodit rrugor policia rrugore do të ushtrojë kontroll të rreptë të mjeteve që transportojnë fëmijë duke kërkuar që të plotësojnë kushtet për transportimin e kësaj kategorie.
Në dhjetor të vitit të kaluar këshilli i ministrave nxori një vendim për miratimin e kushteve dhe përcaktimin e rregullave për transportin rrugor të nxënësve të arsimit parashkollor. Sipas këtij vendimi kjo kategori mjetesh duhet të jetë e pajisur me certifikatë të kontrollit teknik dhe me akt-vlerësimin në plotësim të kushteve për komoditetin e pasagjerëve.
Sipas këtij vendimi për transportin e nxënësve duhet të përdoren autobusë por në rast se infrastruktura nuk është e përshtatshme lejohet përdorimi i mjeteve 8+1, vetëm me miratimin e bashkisë. Që të lejohet qarkullimi i tyre, këto mjete duhet të jenë prodhuar 10 vitet e fundit. Ato duhet të kenë ngjyrë portokalli dhe të kenë të shkruar në mënyrë të dukshme në të dy anët fjalët “Autobus Shkolle”. Gjithashtu automjetet që transportojnë nxënës duhet të kenë të montuar në një krah të mjetit tabelën “Stop”. Kur mjeti ndalet për të hipur apo zbritur pasagjerë kjo tabelë duhet të lëvizë 90 grade pingul me rrugën, me qëllim rruajtjen e fëmijës nga lëvizjet e mjeteve të tjera në rrugë. Po ashtu, të gjitha këto mjete duhet të jenë të pajisura me dalje emergjence.
Sipas ndryshimeve të fundit, të gjitha automjetet e transportit të nxënësve duhet të kenë të montuar në ndenjëse rripat e sigurimit si edhe ndenjëset e posaçme për fëmijët nga 4 deri në 12 vjeç. Këto mjete duhet të përdoren vetëm për transport nxënësish dhe në certifikatën e tyre duhet të kenë të përcaktuar itinerarin e lëvizjes./BW/a.m.