Pak javë më parë, Osman Doçi, drejtor i shkollës 9 vjeçare “Gani Duraku” në Morinë të Kukësit, i shqetësuar nga gjendja e keqe e shkollës, por edhe pasi ishte njohur me aksionin për riparimin e çerdheve, kopshteve dhe shkollave të Tiranës, vendosi t’i shkruajë për ndihmë kryebashkiakut Erion Veliaj. Në atë letër, drejtori Doçi shprehte nevojën për disa tavolina, karrige, stola e pajisje të tjera shkollore, për të zhvillimin normal të mësimit. Paraditen e sotme, kryetari i Bashkisë së Tiranës e mbajti fjalën, duke u nisur për në Morinë, bashkë me bazën materiale të nevojshme për përmirësimin e mësimdhënies në shkollën “Gani Duraku”, duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së drejtorit, grupit të nxënësve dhe mësuesve në prag të fillimit të vitit të ri shkollor.
Teksa mori pjesë në ngarkimin e materialeve mësimore nga kryeqyteti për në Kukës, kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky është një gjest që tregon se Tirana, pavarësisht se nevojave të saj për shkolla të reja, di të jetë edhe solidare, edhe bujare për ata që janë në nevojë. “Jam shumë i lumtur që, bashkë me kolegët e zyrës në Tiranë, me donatorë bujarë, i jemi përgjigjur pozitivisht kërkesës së pazakontë që morëm nga shkolla e një qyteti tjetër, e cila na kërkoi që të merrej në juridiksion nga Bashkia e Tiranës. Këtë nuk e realizojmë dot me ndarjen administrative, por ajo që mund të bëjmë është që t’i përgjigjemi pozitivisht nevojës së tyre dhe sot në mëngjes në Tiranë, kemi ngarkuar një kamion me dyer, dritare, karrige, stola, banka, dërrasa të zeza, dhe ka 4-5 kompjutera për klasën e informatikës. Sot shkolla në Morinë do të ngryset më mirë se sa u gdhi”, u shpreh Veliaj.
Në Kukës, kryebashkiaku i Tiranës u prit nga prefekti i Qarkut të Kukësit, Liman Morina, drejtori i shkollës 9-vjeçare, “Gani Duraku”, Osman Doçi, si dhe nga stafi i mësuesve dhe nxënësit e shkollës. Ata së bashku shkarkuan materialet, duke i shpërndarë nëpër klasa. “Duhet ta pranoj se ka qenë letra më e pazakontë që kam marrë në vitin tim të parë në punë. Shkolla “Gani Duraku” është shkolla e parë sapo kalon kufirin e Shqipërisë, kur vjen nga Kosova. Është mënyra se si përfaqësohet Shqipëria. Unë besoj se ndoshta nuk mund të kemi kushtet më moderne në kaq pak kohë, por ajo që mund të kemi është pak dinjitet në qytetet ku formohet Shqipëria e gjeneratës tjetër. Besoj se përpjekja jonë për të mbushur një kamion me nevojat bazike, dërrasa, tavolina, karrige, dyer, por edhe komjutera, është pikërisht për të treguar se pavarësisht problemeve që kemi në Tiranë, ajo që na karakterizon është bujaria dhe ndihma për njëri-tjetrin”, tha Veliaj.
Por, ndihma që Tirana do japë për fëmijët e Morinës nuk do mbetet këtu, pasi kryebashkiaku premtoi edhe rikonstruksionin e kopshtit. “Mezi pres të vijmë sërish për kopshtin, për t’u siguruar që edhe kopshti i Morinës të ketë një gjendje dinjitoze, dhe besoj se të gjithë fëmijët e kopshteve të Tiranës dhe familjet e tyre do të kontribuojnë. Jam shumë i impresionuar nga përkushtimi këtu, tregon se për mësuesit dhe drejtorin, pavarësisht kushteve, ka një mision të vërtetë të mësimdhënies, që shkon përtej luksit të munguar nëpër klasa. Besoj se tani që janë edhe kushtet, do të kemi djem dhe vajza që do të na bëjnë krenarë një ditë. Atëherë do të themi se patëm mundësi që t’u japim atyre një shans më të madh në shkollën e Morinës. Ju uroj shumë sukses! Urime për vitin e ri shkollor! Mezi pres të dëgjoj histori më të mira nga Morina dhe nga i gjithë Kukësi”, tha Veliaj.
Drejtori i shkollës 9 vjeçare, Osman Doçi, falenderoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës për gatishmërinë për t’iu përgjigjur shqetësimit që ngrinte letra e mësuesve dhe nxënësve të kësaj shkolle. Ai u shpreh se ishte mosbesues që përgjigja pozitive do të vinte kaq shpejt. “Gjendja e shkollës nuk ka nevojë për koment. Një ditë, pasi kisha vizituar shkollën “1 Maji” në Tiranë, orenditë e të cilës nuk krahasohen me ato të shkollës tonë, mendova t’i shkruaja kryetarit të bashkisë. E nisa letrën dhe pas 3 javësh më morën në telefon. Të nesërmen u takova me përfaqësuesit e bashkisë, bëmë një projekt dhe të them të drejtën, nuk i besova shumë. Nuk e mendoja se do të merrja gjithë këto pajisje dhe tani nuk kemi nevojë për të tjera, i realizojmë të gjitha nevojat tona”, tha drejtori i shkollës, Osman Doçi.
Një grup mësuesish dhe nxënësish të shkollës 9-vjeçare, “Gani Duraku”, të njohur me punën që po bëhet në Tiranë, sidomos me institucionet arsimore, pak javë më parë i dërguan një letër kryetarit të Bashkisë së Tiranës, ku pasi i bënin me dije situatën e rëndë të shkollës ku punonin e mësonin, i kërkonin atij mbështetje për të përmirësuar kushtet e mësimdhënies e për t’u ndjerë edhe ata njësoj si bashkëmoshatarët e tyre. Madje, në letër ata i kërkonin kryetarit Veliaj që ta merrte shkollën e tyre nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës.