Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka dorëzuar në gjykatë listën e bizneseve që duan të mbyllin aktivitetin. Sipas të dhënave, 126 kompani në të gjithë vendin kanë shpallur falimentin.
Vihet re një rritje e numrit të kompanive që kërkojnë falimentit . Gjatë vitit 2015 në gjykatë janë çuar 118 kompani kundrejt 126 gjatë këtij viti.
Vlora është qyteti me numrin më të madh të bizneseve që kanë mbyllur aktivitetin, konkretisht 36 kompani, ndërsa Durrësi renditet në vendin e dytë me 27 shoqëri. Në kryeqytet ndërkohë numërohen vetëm 6 subjekte të cilat kanë shpallur falimentin.
Procedurat e komplikuara të falimentit kanë detyruar qeverinë që të hartojë një projektligj të ri i cili aktualisht është në diskutim në komisionet parlamentare.
Drafti i ri, parashikon ngritjen e Gjykatës së Falimentit, si një strukturë brenda gjykatës së rrethit, e cila do të merret me të gjitha procedurat e falimentit.
Ligji përcakton afate të qarta për dorëzimin e kërkesës për fillimin e procedurave të falimentit, ankimimit nga debitori dhe nisjes së seancave gjyqësore, të gjitha brenda një afati prej 1 muaj e gjysmë./a.m.