Prokuroria për Krime të Rënda zgjeron grupin hetimor për dosjen voluminoze të Shërbimit Informativ Shtetëror, për kultivuesit e kabanisit dhe zyrtarët që ndihmojnë ato.
ABC News ka mësuar se drejtuesi i prokurorisë Besim Hajdarmataj, ka ndarë informacionet e SHISH në bazë të qyteteve dhe volumit të kanabisit të mbjell duke ia ndarë dosjen në disa prokurorë. Burimet thonë se për informacionin e qarkut të Durrësit dosja i është dhënë një prokurori, që mbulon edhe zonën e malësisë së Krujës.
Një prokuror tjetër është caktuar për zonën e Lezhës dhe Mirditës, siç është caktuar edhe një prokuror për Shkodrën dhe Dukagjinin. Për zonën e Korçës dhe Përmetit dy prokuror të tjerë. Por këto burime sqarojnë se në bazë të informacioneve të SHISH-it, zona e jugut rezulton si zona më me shumë sipërfaqe të mbjell me kanabis në gjithë Shqipërinë. Për këtë fakt, këtë zonë po e hetojnë një grup prokurorësh i drejtuar nga Vladimir Mara.
Zyrtarisht prokurorët nuk preferojnë të flasin për hetimin e kësaj dosje. Ata thonë se informacioni është shumë kompleks siç është edhe hetimi i dosjes, për shkak se aty janë evidentuar edhe disa emra drejtues të policisë së shtetit, sheaf komisariatesh, shefa krimesh e inspektorë të shumtë të zonave të ndryshme. Bashkë me këto zyrtarët e policisë, SHISH ka evidentuar në raportin e saj voluminoz edhe emrat e disa administratorëve të njësive vendore dhe kryepleqve të fshatrave. Në dosje, thuhet se disa prej zyrtarëve të policisë dhe administratorëve e kryepleqve janë përfshirë direkt në kultivimin e kanabisit dhe një pjesë tjetër luan rolin e ndërmjetësit dhe garantit për mos shkatërrimin e këtyre parcelave.
Në raportin e SHISH-it që tashmë po hetohet nga prokuroria për krime të rënda, është evidentuar se gjatë këtij vitit janë shumfishuar zonat e kultivimit të hashashit. Nga ana tjetër policia e shtetit pretendon se vetëm gjatë këtij viti janë asgjesuar mbi 1.3 mln rrënje kanabis sativa në gjithë Shqipërinë. Por edhe pse janë shkatërruar qindra parcela me hashash, të arrestuar janë vetëm disa roje apo punëtor të kultivimit të hashashit. /ABC News/a.m.