Parlamenti është shndërruar te enjten në një arenë debati dhe sherri për reformën në arsimin e lartë dhe mbjelljen e kanabisit në vend. Ish-kryeministri Sali Berisha me tone të ashpra akuzoi kreun e qeverisë dhe ministren e Arsimit se kanë vrarë ëndrrat e maturantëve me reformën në arsim. Berisha kërkoi dorëheqjen e ministres Lindita Nikolla, ngritjen e një komisioni dhe anulimin e reformës.
Por, gjatë replikës, zv.kryeministri Niko Peleshi i ka quajtur si të pavërteta akuzat e opozitës, duke thënë se procesi i pranimit në universitete është vetëm në fazën e parë. Sipas Peleshit, në universitetin publik kanë aplikuar 22 mijë maturantë dhe janë 25 mijë vende të lira. Debati është shoqëruar dhe me tone gazmore, teksa ish-kryeministri Berisha ka replikuar me ministrin Tahiri, për të cilin tha që kishte ngelur në klasë, ndërkohë që Arben Ahmetajn e thirri disa herë me pseudonime si “zhozho” dhe “Tom Kruis”.
“Unë e di që të pëlqen të të thërrasin Tom Kruis, po unë të quaj Tomi si ai i Xherrit. Pandeli, ky kujton se është Tom Kruis, po unë i them Tomi dhe Xherri”, ironizoi Berisha. Nga ana tjetër, ministri Ahmetaj ka ironizuar me Berishën, duke thënë se është bërë personazh hollivudi dhe i denjë për librat fantashkencë të Dan Braun. “Ai burri atje (Sali Berisha) është bërë aktor holluvudi, ka këto fantashkencat si Dan Braun që merret vazhdimisht me emrat, është bërë aktor hollivudi, ‘War dogs’”, tha Ahmetaj.
Debati ka vijuar për drogën, ku Berisha tha se dhe Niko Peleshi ka parcela droge, ndërkohë që socialistët ironizuam me kreun e PD-së, Lulzim Basha, duke thënë se ka jetuar në Holandë dhe se e njeh mirë cilësinë e hashashit.
REPLIKAT NË PARLAMENT
Sali Berisha: Si njeriu që ka kundërshtuar më shumë se kushdo tjetër pseudoreformën tuaj arsimore, sot do t’u them shqiptarëve të vërtetën. Çfarë ka ndodhur? Ka ndodhur një akt i paimagjinueshëm. Mijëra gjimnazistë shqiptarë, përfshi edhe atë që u shpall e dyta më mirë në maturat e Shqipërisë, kanë mbetur nga satrat e xhelatëve të arsimit jashtë universiteteve. Çfarë ndodhi këtë vit? Ku ishte kundërshtia e institucioneve private me Sali Berishën? Kërkonin me çdo kusht që unë të rrisja pragun e pranimeve në universitet, gjë të cilën unë s’e pranoja kurrë. Ata me mua ishin në harmoni të plotë, por kërkonin që të vija satrën jo te 6-ta, por te 8-ta apo 9- ta. Po këtë unë s’mund ta bëja kurrën e kurrës. Çfarë ndodhi me ligjin? Çfarë ndodhi me Edvinin? … Se ti ( Lindita Nikollës), je thjesht një lojtare e mjerë në duart e tij.
Saimir Tahiri: Fol çfarë të duash, por mos fyej…
Sali Berisha: Zonjë (Lindita Nikollës), ti dhe arsimi jeni dy gjëra krejt të ndryshme, por njeri më të keqpërdorur në historinë e këtij vendi nuk është parë dhe mirë është të konsiderosh dorëheqjen imediate, të kërkosh të ribëhet procesi nga e para dhe të nxirrni nga maturantët nga ankthi dhe tmerri që i keni krijuar. Si të mos flasësh kur dalin dhe protestojnë ata të cilët kanë fituar të drejtën në Gjermani e vende të tjera, kurse ti u mbyll dyert. Nuk ka akt më të ulët e më ç’njerëzor sesa ky, kanë ëndrra ata. Unë ua di mirë këtë. Unë vetë, Sali Berisha, mbarova klasën e shtatë dhe më doli bursa për në Bashkimin Sovjetik, Rusi. Dhe ma morën! U gëzova, u ç’gëzova dhe ma morën!
Erion Braçe: Po ç’deshe që e the… (qesh)
Sali Berisha: Diktaturë ishte, por të drejtën time mbi bazën e notave e nxora. Diktaturë ishte, por përsëri erdha në Tiranë dhe përsëri nxora të drejtën time. Kurse ata vijnë në Tiranë dhe nuk nxjerrin dot asgjë. Është tmerr kjo. Diktaturë ishte, pra ma morën bursën jashtë shtetit, por ama këtu zgjodha dhe mora atë që më takonte. Kurse sot zgjedh vetëm ai që është i FRESSH-it e i stër-FRESSH-it me 10 preferenca. Po nëse njëri i zgjedh të 10 preferencat? Te Juridiku janë përjashtuar ata që janë me 9.7 e me 9.8, dhe janë pranuar ata që janë me 7.5. Mekanizmi që solli këtë është sepse për të arritur në këtë rezultat, kriteret u bënë poshtërisht dhe pabesisht, pasi maturantët kishin bërë zgjedhjet. U dha efekt prapaveprues kritereve. Këtë bëtë ju pabesisht. E ndaj kujt? Ndaj atyre që më shumë se çdo gjë tjetër kanë ëndrrën.
(Ministrat Ahmetaj dhe Tahiri thumbojnë Berishën gjatë fjalës në Parlament)
Sali Berisha-Arben Ahmetajt: Mos fol nga mbrapa, se ti që flet ke një koeficient intelektual mizerabël. Të njoh unë ty, po mos fol…
Sali Berisha-Saimir Tahirit: Ti tjetri ke ngelur në klasë…
Sali Berisha-Arben Ahmetajt: Ti zhozho po flet.. Mos fol me mua se unë e kam një prag, po u kalua pastaj…
(Berisha shkon merr shishen e ujit)
Arben Ahmetaj: Ik merr shishen, ik.
Sali Berisha: Unë e di që të pëlqen të thërrasin Tom Kruis, po unë të quaj Tomi si ai i Xherrit. Pandeli, ky kujton se është Tom Kruis, po unë i them Tomi dhe Xherri.
Arben Ahmetaj: Ti i ke qejf meshkujt. Ty të pëlqejnë meshkujt e shkurtër…
Sali Berisha: Ndaj le të krijojmë një komision, të bëjmë të paqenë aktin madhor korruptiv. Dua të them këtu diçka. Dje ambasadori amerikan foli për Al Kaponen dhe Amerikën e viteve ‘20. Ndryshimi prapë është shumë i madh. Dua t’u them shqiptarëve. Pse? Presidenti i viteve ‘20 nuk kishte asnjë lidhje me Al Kaponen. Është e vërtetë që ai ishte bërë i fuqishëm, por Presidenti qëndronte si shtyllë e pamposhtur e besimit të amerikanëve.
Erion Braçe: E ka pasur për Bujarin tënd.
Sali Berisha: Kurse këtu, Al Kapone është ushtar i super Al Kapones, i Edi Ramës. Kjo është fatkeqësia jonë. Këtu Al Kapone është Kryeministër, përdor fuqinë e ekzekutivit për të fuqizuar dhe pushtetëruar krimin. I bëj thirrje Parlamentit që me urgjencë të ngremë komisionin, të anulojmë praktikën ultrakorruptive të ndjekur nga Edi Rama në pranimet universitare. I bëj thirrje sektorit privat se nëse doni të keni të ardhme largoni tentakulat mafioze nga kjo qeveri, se përndryshe në mënyrë absolute për çdo akt të sotëm do të bëheni përgjegjës. Se ju qëndroni mbrapa kësaj. Sigurisht që ju keni gjetur një të korruptuar si Edi Rama dhe një si kjo ndrikulla këtu, por ky është një dëm i madh që i bëni një shoqërie.
Sali Berisha-Arben Ahmetajt: Zhozho, mos më shtyj se këtu e kam dhe e lexoj…
Arben Ahmetaj: Në aspektin moral, demokratik dhe politik, të hedhësh zi me qëllim në emër të vendit është antikombëtare. Pastaj, edhe varianti tjetër që ka përdorur 25 vite, madje-madje gati e çoi vendin në luftë civile, të mos harrojmë, ai burri atje (Sali Berisha) është bërë aktor hollivudi, ka këto fantashkencat si Dan Braun që merret vazhdimisht me emrat, është bërë aktor hollivudi, “War dogs”, shiheni, shiheni. Ai është emri i keq i Shqipërisë, kërkon ta ndajë Veriun me Jugun, Lindjen me Perëndimin, është me qëllim.
Niko Peleshi: Ka 25 mijë kuota në arsimin publik të lartë dhe 22 aplikime. Nuk do të ketë asnjë maturant që nuk do të fitojë të drejtën e studimit për këtë vit akademik. Kjo është e vërteta. Jemi në fazën e parë, ku janë rankuar dhe nuk janë shpallur as fituesit madje. Maturantët më mesatare më të lartë. Kufiri i mesatares ndryshon nga një degë te tjera. Në fazën e dytë përsëri online në mënyrë transparente të gjithë maturantët do të kenë të drejtë të aplikojnë.
Sali Berisha: Unë e njoh shumë mirë sistemin…
Ilir Beqaj: Ti njeh çunin e Boss-it.
Sali Berisha: Po si çuni Boss-it jeni gjysma e juaj. Ja ku e ke çunin e Boss-it (Saimir Tahirin), e përjashtuan nga fakulteti si të droguar këtë, edhe erdhi me zor e mori diplomën. Kështu me thanë në Itali.
DEBATI PËR KANABISIN
Sali Berisha-Ulsi Manjës: Edhe ti Ulsi i more leje Ymerit që erdhe këtu. Absolutisht mandatin tënd do ta marrë Ymer Lala. Ty të kanë përzënë nga fushata se s’të do ai ty. Shko dil në televizor me të, pse nuk del dot? Se Ymeri i ka thënë atij kandidatit: “Dëgjo këtu ti çuni i Qemalit, po e pashë më këtu atë deputetin të sikterisa”. 100 mijë rrënjë kanabisi i ka mbjellë në Selishtë, po kaq ka Bardhok Planaj në buzë të liqenit Vaut të Dejës.
Taulant Balla: Ke Lulzim Bashën sot atje, të shkojë dhe të denoncojë arat. Hë more të shkojë Luli, po ngele duke shpifur tërë jetën more.
Sali Berisha: Ju s’keni sy të shihni kanabisin se jua ka zënë kanabisi sytë, i keni parcelat tuaja ato, ndaj bërtisni.
Taulant Balla: O Sali, Luli e njeh kanabisin se ka jetuar në Holandë, të shkojë Luli atje dhe t’i zbulojë. Ai e njeh edhe cilësinë.
Sali Berisha: Edhe këtë do ta mohoni? Diellin me shoshë kam parë shumë herë që doni ta bëni, por keni dështuar. Edhe tani përpiqeni ta mbuloni, por nga ajri është filmuar çdo gjë. Vetëm Kurveleshi ka 3.2 milionë rrënjë. Ajo që patë në Poçem, ku vetëm sipas të dhënave tuaja aty ishin 45 mijë. Poçemi pëllëmbë për pëllëmbë është mbushur. Hajdeni shkojmë në Nivicë, në Kuç, në Selari, hajde shkojmë në Gusmar…
Erion Brace: Nga Gusmari është Luli…
Sali Berisha: Me këto, s’e kaloni dot ju jo..
Taulant Balla: Paska mbjellë Luli kanabis në Gusmar…
Sali Berisha: Ju garantoj se po kaq ka në zonën e Beratit e të Skraparit e në zona të tjera. Ju e keni mbytur Shqipërinë me kanabis. Sivjet janë prerë plantacione arrash për të mbjellë kanabis, vitet e tjera do të priten plantacione të tëra drurësh frutorë për të mbjellë kanabis. Shkoni në Dukagjin, shkoni në Alpe, atje ku s’jua pret mendja. Stan i poshtëm apo Pribujan, ku absolutisht pa helikopter nuk shkon dot, çka do të thotë se i keni çuar me helikopter…
Saimir Tahiri: Paska mbjellë dhe Luli atje…
Sali Berisha: Vazhdoni qeshni se ju jeni të gjithë brenda keni parcelat tuaja. Tre janë emrat që dalin në të gjitha përgjimet e agjencive të huaja për kanabisin: Rama, Tahiri dhe Peleshi. Qeshni, qeshni, unë fare mirë mund të them del kushërira, por nuk del. Fare mirë mund të them që del ky tjetri, por nuk del. Qenka Korça pa kanabis? Nuk dini ç’thonë ata të Qatromit, që na kanë marrë ujin e pijshëm për të vaditur kanabisin e s’na lënë për të pirë ujë. Pse të ma thonë mua, le të ta thonë ty. Ua keni marrë ujin për kanabis. Tre emra që kanë dalë në të gjitha përgjimet e agjencive të huaja.
Arben Ahmetaj: I dëgjova të dy parafolësit, Berishën dhe Blushin më vëmendje. Është trajektore shumë interesante zhvillimi dhe përputhje ku dy drejtëza, dikur paralele dhe në kundërshtim, më në fund përputhen. Unë e kuptoj shumë mirë që keni ambicie politike secili nga ju, të krijoni parti, të krijoni lëvizje, të krijoni përçarje, imagjinarisht të çoni në burg, të nxirrni nga burgu, unë e kuptoj shumë mirë këtë, por statistika është statistikë. Statistika shkon përtej letërsisë, përtej romanticizmit, përtej dëshirës së mirë e të keqe, është statistikë e certifikuar, transparente dhe nuk certifikohet këtu në këtë Parlament. E kemi ndarë 20 vite më parë, statistika certifikohet nga institucione të pavarura, në mënyrë që kur të përplasemi këtu, të mos jetë as me emocion, as me vulgaritet, por të përplasemi me alternativa. Unë e kuptoj shumë mirë ambicien politike të secilit prej nesh. Secili nga ne ka ambicien e tij politike, unë kam timen, ju keni tuajën. Por unë e kam të kufizuar ambicien time politike. Besoj se brenda maxhorancës, jo vetëm si ministër, por edhe si anëtar i këtij Parlamenti kur kam qenë, nuk bëj debate qesharake e as personale me askënd, duke filluar nga ish-kryeministri që nuk le njeri pa fyer, s’i kam kthyer asnjëherë përgjigje dhe s’kam ndërmend t’i kthej, por ama kur vjen debati për të qenë realë për ekonominë, unë e konsideroj përpjekjen për të hedhur zi mbi reformat të qëllimshme, për t’i hedhur baltë vendit. Thotë jam i zhveshur nga interesat personale, nuk është. Do të rikthehet në pushtet me pinjollët e vet. E mbani mend se iku ishkryeministri e po fliste për skenarin grek, dhe të nderuar deputetë, majtas dhe djathtas, shumë nga ju u drithëruan nga gëzimi. Shumëkush u drithërua dhe nga tmerri për skenarin grek, por ju ftoj që të paktën sot të konfirmoni që skenari grek nuk ekziston në ekonominë shqiptare, është lënë mbrapa dhe ka lindur trajektorja rritëse. Po, po, në sy i shoh të gjithë kolegët majtas dhe djathtas. Folën për skenarin grek, Sali Berisha ka folur për skenarin grek. Ku është skenari grek? Ku është Shqipëria si Greqia?