Në momentin kur Partia Demokratike deklaroi kandidaturën e përzgjedhur për garën e 11 Shtatorit në Bashkinë e Dibrës nuk munguan problemet brenda saj. Ish-kryetari Rahim Kaleci e braktisi aktivitetin e demokratëve në Dibër ku do të prezantohej kandidatura e Shehut. Kaq mjaftoi që portale pranë kryetarit Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit Sali Berisha të sulmonin ashpër Kalecin duke e akuzuar deri se ishte paguar me 200 mijë euro për ti prishur punë Sherefedin Shehut.
Këto lajme të servirura në portale e bënë situatën brenda demokratëve edhe më të ndërlikuar duke e thelluar ndjeshëm konfliktin. Treguesi i parë që Lulzim Basha nuk kishte besim më tek demokratët e Dibrës ishte zbarkimi i mbi 29 deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Vet Basha qëndroi në Dibër një pjesë të mirë të ditëve të fushatës dhe këto lëvizje e asgjesuan thuajse plotësisht rolin e degës lokale.
Por Basha nuk mjaftohet me kaq. Votimet e kësaj të diele ai ka preferuar të mos ja besojë demokratëve të Dibrës por ka importuar nga Tirana ish-drejtorët e famshëm të administratës tetë vjeçare të Sali Berishës. Lexo.al ka mësuar se pjesa më e madhe e listës janë njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me Dibrën përveç faktit që janë të njohur në të shkuarën e tyre të errët, të përfolur e hetuar për vepra të ndryshme penale që nga rrëmbimi e zhdukja deri tek shpërdorimi i fondeve publike.
Lexo.al po sjell listën e të “deleguarve” nga Tirana.
Në listën e vëzhguesve të dërguar në Dibër nga Lulzim Basha gjen emra të tillë si ish-drejtori i Hipotekave Arben Qirjako; ish-Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Arben Sefgjini; ish-Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Gazmend Dibra; ish-kreu i Komunës së Lazaratit Dashamir Aliko; djali i deputetit të ndjerë Azem Hajdari, Kiri; ish-zv.ministri i brendshëm Avenir Peka.
Lista shkon edhe më tej me emra të importuar për të dubluar dhe kontrolluar demokratët e Dibrës. Mes tyre gjen edhe ish-deputetin e Beratit Lefter Maliqi; ish-deputetet e Shkodrës Gjok Uldedaj e Ramiz Çobaj; ish-deputetin e Tropojës Xhevdet Mehmeti; ish-zv.ministrin e shëndetësisë Bardh Spahia. Nuk kanë mbetur jashtë listës as njerëzit e afërt të Bashës gjatë kohës kur drejtonte Bashkinë e Tiranës si administrator i tij Etion Kapedani; Taulant Zeneli; kreu aktual i këshilltarëve të djathtë në Tiranë Leonard Olli apo edhe prurje të reja si Fabian Topollari, Akil Kraja e Mateo Spaho.
Demokratët e Dibrës do të zëvendësohen në këtë proces zgjedhor edhe nga ish-drejtorë të kohës së qeverisjes së PD si ish-drejtori i privatimeve Gent Minarolli; ish-drejtori i Ministrisë së Financave Dorian Teliti; drejtori i financave të PD-së Arben Ibroja; ish-drejtori i Aviacionit Civil Ervin Minarolli. Do të dublojnë degën lokale edhe drejtuesi i grupimit “Dhjetori 90” Bislim Ahmetaj apo dhe kryeredaktori i gazetës “Rilindja Demokratike” Blendi Kasmi.
Ajo çka sot diskutohet është thjesht se sa e madhe do të jetë vala e pakënaqësisë dhe rrjedhja e votave mes demokratëve të Dibrës më datë 11 Shtator. Përveç faktit se po i zëvendëson dhe dublon me njerëz të sjellë nga Tirana, kjo bëhet edhe më e rëndë kur sheh emrat dhe precedentët që kanë patur në raport me drejtësinë pjesa më e madhe prej tyre.
Ish-kryetari Rahim Kaleci gjen sot mbështetës shumë më tepër se sa kishte në fillimin e kësaj fushate zgjedhore dhe siç duket po bëhet tashmë fakt parashikimi i tij se kandidatura e Sherefedin Shehut është një zgjedhje e gabuar që do të çojë në fitoren e kandidatit rival, doktorit Muharem Rama. /Lexo.al