Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka replikuar me ish-kryeministrin Berisha në lidhje me akuzat për abuzime në maturën shtetërore. Beqaj deklaroi se opozita po bën politikë me problemet e maturantëve por nuk kërkon falje për sistemin e ngritur nga ata vetë kur ishin në qeveri. Po ashtu, ai qetësoi edhe maturantët teksa tha se 43 % e kuotave të mjekësisë do të lirohen në raundin e dytë!
Ja fjala e plotë e ministrit Ilir Beqaj:
I nderuar z. kryetari i Kuvendit,
Të nderuar zonja dhe zotërinj deputetë
Qytetarë, por sidomos maturante dhe maturantë,
Në fakt, po e dëgjoja Sali Berishën dhe vazhdoja të dyshoja se sa i sinqertë apo i gënjeshtërt është në atë që thoshte, sepse vërtetë kisha dyshimin si është e mundur që në PD të mos ketë më as kërkënd që ti thotë që është e kotë kjo që flet, sepse në 15 tetor, gjithçka do të ketë mbaruar.
Unë e kuptoj që ai mund të vazhdojë të bëjë politikë edhe me maturantët por për 5 javë e gjithë kjo flluskë është shfryrë. Sot Saliu, pranoi që në kohën që ishte kryeministër, merrje diploma si djali i Bossi-t.
Por kaq nuk mjafton Sali Berisha!
Minimalisht, edhe sot ishte koha të kërkoje falje për sistemin që ngrite, për ëndrrat dhe shpresat që vrave, dhe për buxhetet familjare që i përdorën paratë me të padrejtë.
E dëgjova që foli për doktoraturat dhe tha u mbyllën doktoraturat. Mori si shembull drejtësinë. Po çfarë lejoi shkolla e lartë, ai fakultet kur Saliu ishte kryeministër. Nuk ka rëndësi, nëse ishte apo jo e tija përgjegjësia përsa kohë ai çdo reformë i vë emrin e vet.
Fakulteti i Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, në universitetin publik, një pedagog kishte 25 doktoratura.
Është e pamundur!
Me një rregull të kohës së Saliut, një pedagog, 5 doktoratura mund të ketë.
Mund të kenë shumë të bëjnë dëshirë, por ne përveç dëshirës, përveç ëndrrës kemi detyrimin dhe përgjegjësinë ligjore edhe morale, edhe në cilësinë e doktoraturës. Nëse një pedagog merr përsipër 25 doktorantë, padyshim, të gjitha janë o plagjiatura, o gjëra pa vlerë. Dhe reforma e Arsimit të Lartë këto heq.
Ndërkohë, a ju bën përshtypje që nuk ka asnjë dekan, asnjë rektor që mund të quhet që janë më afër të majtës apo të djathtës që nuk thonë asnjë ankesë. Nuk e thonë sepse ky ligj i ri u jep atyre shumë më tepër hapësirë, e vendosin ata këtë gjë.
Për çfarë u angazhuam në shtator përpara 3 vjetësh?
Nuk do të përdoret matura shtetërore për hyrje, do të përdoret vetëm për dalje nga sistemi i arsimit parauniversitar. Sepse duhet që edhe shkollat e larta të jenë pjesë e vendimmarrjes sesi hyhet në shkollën e lartë.
Kam dëgjuar studentë, ndoshta me të drejtë, janë shqetësuar që me mesatare 9.7 opo 9.6 që nuk kemi marr të drejtë studimi. Kjo histori me një përmasë jashtëzakonisht më të vogël më është dashur të ndeshem në punën time para dy vjetësh, në specializimet e mjekësisë.
Edhe për këtë në fakt, Sali Berisha duhet të kërkonte të falur sot, megjithëse foli për ëndrra.
Për 4 vjet, nuk kemi patur në Shqipëri studime të nivelit të lartë në mjekësi. Nuk i hapi specializimet. Përveç pasojave shumë të rënda që ka sjellë në sistemin e sotëm shëndetësor, me mungesë mjekësh specialistë, i vrau për 4 breza ëndrrat e atyre që donin të bëheshin specialistë në mjekësi, dhe u detyruan pastaj të emigronin.
Por, po ju jap shifra se çfarë ka ndodhur këtë vit në Universitetin e Mjekësisë, deri tani me fazën e parë. Është shpjeguar shumë mirë dje nga ministrja e Arsimit, dhe nga personeli i ministrisë së Arsimit, por u shpjegua edhe sot nga zëvendëskryeministri që do të ketë një fazë të dytë.
Me mesatare të përgjithshme gjimnazi, 226 personat që kanë fituar në mjekësi e kanë mesataren 9.96; me 9.95 nuk futesh dot në mjekësi në këtë fazë të parë.
Në farmaci, 9.99, në stomatologji, 10, me 9.9 në këtë fazë të parë për 75 kuota që ai fakultet ka krijuar nuk futesh dot në këtë moment.
Dhe kështu, fillojnë me radhë.
Dhe praktikisht, në nëntë degë që janë në atë universitet, pra nëse një student ka të drejtë të bëjë deri në 10 përzgjedhje, në nëntë prej tyre mesatarja e përgjithshme e gjimnazit, fituese në raundin e parë është 9.96, 9.99, 10, 9.96, 9.35, 9.95, 10, 9.89. 9.9.
Sigurisht do të ketë një fazë të dytë por nuk mjafton mesatarja e përgjithshme e gjimnazit sepse dy studentë me të njëjtën mesatare nuk mund të shkojnë të dy në mjekësi sepse vetë Senati i Universitetit të Mjekësisë, që në muajin shkurt tha jo. Ne duam studentë që kanë kiminë, biologjinë dhe fizikën shumë më mirë se dikush tjetër.
E dinë ata çfarë u duhet. Sepse kanë parë studentë me të njëjtat nota nga matura dalëse që përdoret edhe për hyrje dhe që pastaj shfaqin dobësi në dy vitet e para të formimit ët përgjithshëm si mjek. Dhe këtë e bën kjo reformë. Këtë bën ligji i ri i Arsimit të Lartë.
Dhe ndërkohë, për t’ju qetësuar po të marrim bashkë mjekësi, stomatologji, farmaci, fizioterapi në Universitetin publik janë 427 kuota. 183 do të lirohen sepse janë njerëz që kanë fituar në të paktën dy prej tyre. Pra 43 përqind e kuotave të Universitetit të Mjekësisë do të lirohen për raundin e dytë.
Kam informacion për këto sepse më lidh edhe puna që bëj, por jam i bindur që kështu është edhe kudo, sepse është një djalë përshembull që ka fituar në tetë degë: Ka fituar në mjekësi, në stomatologji, në farmaci, në imazheri, në informatikë, në elektronikë, në jurispudencë dhe në ekonomi. Një do të zgjedhë ai. Shtatë të tjerat do të jenë të lira.
Dhe ndërkohë, dëgjuam sot pse nuk ka zgjedhje preference që të mos ia lemë sistemit, makinës, kompjuterit të zgjedhi të ardhmen po ta zgjedhin vet studentët. Prandaj, 10 alternativat nuk kanë preferencë, gjithësecili, mbasi merr përgjigjen, është i lirë të zgjedhë dhe pastaj të kalojmë në fazën e dytë.
Kështu që, unë besoj, se gjithë ky shqetësim i drejtë, është e vështirë për dikë që është maturant, që e pret me shumë dëshirë momentin e studimeve të larta do të zgjidhet me, sigurisht, shumë më tepër komunikim por duhet të jemi të vetëdijshëm. Mundësi të barabarta, ëndërr për të gjithë por kemi përgjegjësi edhe produktin e asaj që del nga shkolla e lartë, për atë vetë dhe gjithë shoqërinë.
Po shfrytëzoj momentin për tu ndaluar, fare shumë shkurt, tek kjo historia Veri-Jug dhe dua të ilustroj çfarë po ndodh në spitalin Rajonal të Shkodrës.
Për publikun është e njohur, ka një shërbim modern dialize atje. Të sëmurët e dializës në Shkodër nuk kanë nevojë më turni i tretë në orën 12 të natës. E bëjnë në dy turne.
Në 1 tetor fillon në Lezhë. Meqenëse Saliu në mënyrë të shëmtuar dhe hileqare vazhdon këtë historinë jug dhe veri. Ka rezonancë manjetike në spitalin e Shkodrës. E blerë me buxhetin e vjetshëm, po funksionon me buxhetin e sivjetshëm.
Ka nevojë për mirëmbajtje, për kontrast, për mjek dhe infermiere që punojnë aty. Nuk vijnë më shkodranët në Tiranë. Të paktën shpenzimet e rrugës ua kemi shkurtuar. Po dhe lezhianët shkojnë në Shkodër.
Ka filluar para dy javësh koronarografia në Shkodër. Të paktën, si kardiolog, atij mund ti thotë diçka. Dhe, meqenëse na thotë që shkojmë tek privati, kur erdha ministër aniografinë në Senatorium e gjeta në qese. Aty ishte!
Shqiptarët shkonin tek privati.
Të akuzoj Saliun se e bënte kastile dhe ndante lekët me spitalet private se këtë bëri gjithë ditën sot?
Dhe e bëjnë shkodranët edhe lezhianët; nuk ka nevojë më të vijnë në Tiranë, e bëjnë në Shkodër. Shërbim më afër vendbanimit, me të njëjtën cilësi, dhe padyshim, shkurtim i ndjeshëm i radhës së pritjeve.
Unë dua sinqerisht, në fakt, të përgëzoj kolegen time, Linditën me qetësinë me të cilën ka përballuar këto ditë gënjeshtra nga më absurdet. Unë vet do të isha acaruar shumë më tepër.