Konferenca dy-ditore e nivelit të lartë “Sfidat e Institucioneve të Ombudsmanit, përballë flukseve migratore mikse”, u përmbyll me miratimin në unanimitet të një dokumenti me rëndësi historike:
“Deklarata e Tiranës për migracionin”
Deklarata e Tiranës do t’i dërgohet Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për të përcjellë një frymë të re në trajtimin human, në kontekstin e flukseve migratore. Deklarata e Tiranës konsiderohet si një udhërrëfyes për të drejtat e njeriut, për ruajtjen dhe garantimin e dinjitetit njerëzor, pavarësisht vendit apo statusit individual të gjithësecilit.
Gjatë hapjes së punimeve të ditës së dytë të Konferencës, Avokati i Popullit z. Igli Totozani tha se:
“Ombudsmanët janë institucion që nuk e kanë punën të lehtë. Gjatë mandatit si Avokat i Popullit, një nga shqetësimet kryesore ka qenë rritja e efikasitetit të institucionit. Sa më efikas të jetë institucioni, aq më mirë është për qytetarët. Është sfidë e madhe të jesh efikas edhe brenda vendit dhe jo më kur gjendesh përballë krizash të mëdha migratore si këto që përfshinë një pjesë të mirë të Ballkanit, Europës e më tej. Reagimi më i mirë në raste të tilla është të atakosh problemin ose shkakun , sepse ne si Ombudsmanë na takon që të trajtojmë me kujdes të drejtat e njeriut, që kanë lidhje me pasojat pas lëvizjeve të mëdha të njerëzve; për shkak të luftës, varfërisë dhe kushteve të vështira të jetesës.
Gjatë kësaj periudhe, ne si Ombudsmanë u gjetëm përballë situatash të vështira, në mënyrë të vecantë flas për Ombudsmanët e Ballkanit. Kjo, pasi nuk mjafton vetëm realizimi me sukses i atributeve tona. Sfidat janë të mëdha. Vende të caktuara ndërtuan mure për të bllokuar lëvizjen e njerëzve. Qytetarëve të ndryshëm ju mohuan apo u diskriminuan në lidhje me aksesin për procedurat e azilit. Shpesh migrantët në vende të ndryshme vuajtën në kushte të vështira dhe shumë prej tyre u kthyen.
Kriza e emigrantëve trokiti në vendet tona në momente krize dhe vështirësish ekonomike. Është e kuptueshme që do të prodhonte edhe fenomene negative si: ksenofobia, racizmi, diskriminimi. Të gjitha këto janë sfida me të cilat na është dashur të përballemi. Sfida krysore mbetet që në situata të tilla, që tejkalojnë kufijtë tanë, ne duhet t’i përballojmë së bashku. Pikërisht këtu qëndron dhe ideja e kësaj konference:
Si mund të jemi ne Ombudsmanët më efikas përballë fenomenesh të tillë transnacionalë, kur kemi vetëm kompetenca territoriale. Gjatë këtij refleksioni human, që e kam bërë edhe unë vetë më rezulton se gjëja e parë që të shkon në mendje është të gjesh aleatë që të përballesh me krizën, sepse vetëm është e pamundur. Aleatët tanë më të mirë përvec shoqërisë civile, medias, qytetarëve dhe institucioneve shtetërore, mbeten Ombudsmanët, kolegët tanë, puna dhe bashkëpunimi i ngushtë mes nesh, për të përballuar në mënyrë globale, një shqetësim që është global. Por është shumë e rëndësishme edhe bashkëpunimi me institucionet e të drejtave të njeriut dhe kur flas për to, mendja më shkon te Komisari i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Unë kisha një ëndërr, kisha një ide, të cilën e ndava me dy njerëz të dashur dhe miq të mi. Unë kam fatin sot t’i kem në tavolinë dhe t’u jap fjalën personave që mbështetën që në fillim këtë ide. Konferenca I jep një dimension të ri atij faktori që është aq I rëndësishëm për suksesin tonë, në përballjen me fenomene aq komplekse, si flukset migratore”.
Diskutimi në konferencë vvijoi më tej me fjalën e z. Jacques Toubon, Mbrojtës i Të Drejtave të Francës dhe Sekretar i Përgjithshëm i AOMF dhe AOM dy organizatave shumë të rëndësishme të Ombudsmanëve. Në fjalën e tij z. Toubon vlerësoi pavarësinë dhe forcën që duhet të kenë Ombudsmanët në përballje me situatat e krizave apo të shkeljes së të drejtave të njeriut.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua diskutimit të znj. Kate Gilmore Zv. Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, e cila nderoi me pjesëmarrjen e saj këtë event shumë të rëndësishëm.
“Të drejtat nuk janë dhurata për t’u shpërndarë- ato janë të drejta të lindura- ato nuk mund te hiqen, pezullohen apo mohohen. Ato jane pjesë e dinjitetit njerëzor – të fituara që në lindje. Të patjetërsueshme. Ato nuk ekzistojnë të ndara nga fakti I ekzistencës sonë . Ato janë përkufizimi më I mirë që i bëhet njeriut, ndërkombëtarisht I njohur, edhe kur gjendemi në zonën e ngushtë të kufijve shtetërorë, të hedhur aq me kujdes në hartat e sovranitetit tonë kombëtar, edhe kur ato ekspozohen në kufijtë ndërkombëtarë , edhe atëherë secili prej nesh ka të drejtë t’i gëzojë ato”, u shpreh znj. Kate Gilmore, Zv. Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut në konferencë.
Konferencën e përshëndeti edhe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta. Në fjalën e tij z. Meta theksoi se “Në këtë kontekst të ri socio-politik mbarë-evropian, Institucionet e Ombudsmanëve dhe Mediatorëve, krahas institucioneve të tjera, kanë një rol kaq jetësor për të shmangur erozionin e këtyre parimeve dhe vlerave themelore.
Nuk është aspak e tepërt të thuhet se shtetet dhe aktorët ndërqeveritarë rajonalë e ndërkombëtarë duhet të bëjnë çdo përpjekje, që politikat dhe veprimet e ndërmarra të zbatojnë standardet dhe detyrimet që burojnë nga legjislacioni në fushën e të drejtave të njeriut.
Dua gjithashtu të shpreh bindjen time se në çdo rrethanë që mund të prekë Shqipërinë, përfshirë një eventualitet të mundshëm të thellimit të krizës migratore në Evropë, Kuvendi i Shqipërisë e konsideron Avokatin e Popullit si institucionin kryesor të pavarur kushtetues që mbron të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshme të qytetarëve tanë, në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Shqipërisë, dhe ne mbështetemi maksimalisht në punën e këtij institucioni shembullor.
Ne jemi angazhuar maksimalisht prej kohësh për konsolidimin e bashkëpunimit me Avokatin e Popullit përmes zbatimit të rekomandimeve të adresuara nga ky institucion, por edhe përmes rritjes së mbështetjes financiare brenda mundësive tona”. (b.an)